Zgjedhjet lokale 2017, PDSh prezantoi vizionin për Gostivarin

09.10.2017 15:10

PDSh kërkon mbështetjen e gostivarasve që ta vazhdojë rezistencën kombëtare”.....

“PDSh kërkon mbështetjen e gostivarasve që ta vazhdojë rezistencën kombëtare”. Kështu deklaroi lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi, në tubimin parazgjedhor të PDSh-së në Gostivar.

Sipas tij, opozita e vërtetë shqiptare është PDSh, e cila vazhdon të pretendojë përfaqësimin e shumicës së shqiptarëve. Në emër të këtij qëllimi, Thaçi kërkoi mbështetjen e gostivarasve për kandidatin e kësaj parti për kryetar të Gostivarit, Sabajdin Izairi, dhe listën e kandidatëve për këshilltarë komunal. 

“E dimë se njërën pale e mbështet LSDM-ja, e dimë se palën tjetër e mbështet VMRO-ja. Nëse këto çështje nuk dalin të vërteta, unë kurrë më nuk do të merrem me politikë. Ditën e zgjedhjeve në Gostivar do të vërehet rezultati, ne bashkërisht ju apelojmë se jeta është shumë më e gjatë, politika shqiptare do të jetë shumë më e gjatë, kombi shqiptar është me jetëgjatësi shumë më të madhe se sa jetëgjatësia e tyre politike”,- tha kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.

Kandidati i PDSh-së për kryetar të Gostivarit, Sabajdin Izairi, tha se programi i tij për Gostivarin përputhet me kërkesat e qytetarëve dhe mundësitë që ka pushteti lokal. Ai tha se projekti përfshin investimet e huaja, ekologjinë, arsimin dhe infrastrukturën.

“Do të kërkoj nga qeveria dhe investitorët publiko-privat, riciklim të mbeturinave, ndërsa për fabrikën e Silikës do të kërkoj detyrimisht të vendos filtra. Në tremujorin e parë do të vë në funksion tregun e gjelbër, aty ku ka qenë më parë. Do të hap rrugën Braqa Gjinovski dhe do të riemërtojë rrugët që ende mbajnë emra të sistemit komunist jugosllav, siç është rruga JNA”,- theksoi kandidati për kryetar të Gostivarit nga PDSh, Sabajdin Izairi.

Këshilltarët e PDSh-së do të mbështesin vetëm projektet që janë në interes të qytetarëve të Gostivarit, theksoi bartësi i listës së kandidatëve për këshilltar, Veland Memedi.

“Mbështetje të veçantë nga këshilltarët e PDSh-së do të kenë iniciativat për zhvillim dhe avancim me projekte regjionale dhe komunale që ndërlidhen me investimet e huaja, pa i anashkaluar investitorët vendorë të cilët janë baza e ekonomisë në komunën e Gostivarit, hulumtimin e kuadrove vendorë, projekteve infrastrukturore, projekteve për kulturë, arsim, sport, shëndetësisë dhe ambient të pastër, projekteve për rritjen dhe avancimin e ambientit jetësor të qytetarëve”,- u shpreh bartësi i Listës së kandidatëve për këshilltar në Gostivar-PDSh, Veland Memedi.

Nën udhëheqjen e kandidatëve të PDSh-së gostivarasit do të kenë jetë më kualitative, u tha në tubimin e PDSh-së në Gostivar. (Gyltene Sinani, TVM2)