Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, BDI prezanton vizionin për Strugën
09.10.2017 16:06
BDI ka kapacitetin për të realizuar të gjitha projektet në mënyrë transparente dhe në bashkëpunim me popullatën, u tha gjatë tubimit të kësaj partie në Strugë...

Kandidati për kryetar të kësaj komune, Ramiz Merko, është i bindur se në zgjedhjet e 15 Tetorit BDI-ja do ta rikthejë pushtetin në Komunë. Merko premtoi se do ta drejtojë komunën bashkë me qytetarët dhe për çdo vendim të tij do të konsultohet me banorët e Strugës. Ai premtoi se do të krijojë kushte për të ndërtuar nëntë fabrika në zonën e lirë ekonomike të Strugës dhe për të punësuar mbi 2000 punëtorë.
“Ne vijmë nga ato vende të udhëheqim me institucionin, por për interesa tuaja, për interesa të të gjithë grupmoshave, për interesat e biznesit, për interesat e arsimit, për interesat e shëndetësisë, për interesat për një ambient më të mirë, më të pastër, për interesat e të gjitha rasteve sociale, për një mirëqenie më të mirë, sigurisht që këto janë të shkruara në programin që të gjithë ju e keni”,- deklaroi kandidati për kryetar të Komunës së Strugës, Ramiz Merko.
Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, potencoi se BDI qëndron fuqishëm pas kandidaturës së Ramiz Merkon. Ahmeti tha se në zgjedhjet e kaluara i dhanë mbështetje Zijadin Selës, por pas katër viteve të tij në pushtet, BDI vlerësoi se Struga është keqmenaxhuar dhe Ramiz Merko është kandidati më i mirë për të zhvilluar këtë komunë. “Gjatë mandatit të kaluar të Merkos, në Strugë janë bërë shumë punë në aspektin infrastrukturor, andaj kandidatura e tij nuk është e rastësishme. Për të përparuar në integrimet euroatlantike nevojiten edhe reforma në zhvillimin e pushtetit lokal dhe BDI posedon kapacitetin për të menaxhuar në mënyrën më të mirë me komunat”,- tha Ahmeti duke shtuar se për të udhëhequr me komunën nevojitet projektues dhe menaxherë të mirë, e jo vetëm njerëz që preferojnë më shumë të filozofojnë sesa të punojnë për të mirën e qytetarëve.
“Me 15 nuk fiton Ramiz Merko, me 15 fitoni ju, struganët, me votën që do t’ia jepni Ramiz Merkos dhe me Merkon vërtetë ky vend do të ketë përparim, ky vend do të plotësojë shumëçka nga ajo që i ka munguar tash e katër vjet. Ramizi nuk është për konferenca shtypi, nuk është për të bërë filozofi, Ramizi është për të punuar dhe ju e keni provuar, sepse sot ngado që janë, nëpër të gjitha vendbanimet ishin të gjitha rrugët që i ka bërë dhe i ka shtruar Ramiz Merko”,- u shpreh kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti shtoi se Ziadin Selës ia ka bërë me dije që para zgjedhjeve se në Strugë do t’i masin forcat. “Në vitin 2013, BDI ishte shumë më e shqetësuar, madje edhe se Zijadin Sela, që shqiptarët të mos e humbasin Strugën dhe u angazhuam maksimalisht, nuk i punuam askujt pas shpine, por për këto zgjedhje Zijadini e di fare mirë se i kam thënë: në Strugë do matemi, do dalim në fushë të mejdanit! Dhe, këtë ia kam thënë para se të shpallen zgjedhjet”,- tha Ahmeti duke i rekomanduar kreut të Aleancës që “të flasë me partitë e reja – le ta mbështesin, por ama të tërhiqet BDI-ja nga fronti dhe të lë anëtarësinë, kjo nuk vjen parasysh”.
ERSAN PAJAZITI
