Zgjedhjet lokale 2017, LSDM prezantoi vizionin për Shkupin modern
Shkupi përfundimisht do të shndërrohet në qytet i cili do të punojë për të gjithë qytetarët e saj.....

“Shkupi përfundimisht do të shndërrohet në qytet i cili do të punojë për të gjithë qytetarët e saj. Ai patjetër duhet të bëhet vend me përmasa për çdo qytetarë të saj, me cilësi më të mirë për jetë, me shërbime më cilësore dhe profesionale të administratës së qytetit”.
Kështu u premtoi në mitingun para godinës së qeverisë kandidati i LSDM-së, Petre Shilegov, shkupjanëve. Ai u tha se bashkërisht do ta ndërtojnë ardhmërinë e qytetit nëpërmjet zbatimit të ideve të tyre, ndërkaq premtoi se nuk do të ketë ndarje etnike dhe politike, dhe nuk do të ketë më të privilegjuar.
Shilegovi premtoi gazifikimin e qytetit, ruajtjen e zonave të gjelbra, transport të sigurt, rrugë moderne dhe shërbim profesional të administratës.
“Unë dhe ekipi im kemi ide të qartë dhe plan se si Shkupin ta bëjmë qytet europian. Në vend të ndërtesave barok do të ndërtojmë parqe, nuk do të mbjellim palma por gjelbërimet e humbura do t’i zëvendësojmë me drunj që përshtaten në Shkup. Shkupi për 4 vjet ju premtoj se do të shndërrohet në qytet të gjelbër dhe jo qytet si deri më tani, i stiropolit dhe neobarokut. Ngrohja e amvisërive është një nga problemet kyçe të ndotjes për këtë qëllim si kryetar i Shkupit në vitin 2018 do ta filloj gazifikimin e qytetin e Shkupit pikërisht nga lagjet të cilat nuk janë të kyçura në rrjetin e ngrohtores. Jemi të vendosur që të kujdesemi për gjelbërimin. Atje ku ka parqe nuk do të lejojmë ndërtimin e ndërtesave. Shëndeti ynë dhe i juaji dhe nevoja për ajër të pastër dhe ujë të pijshëm janë obligimi ynë shenjtë. Shkupi gjatë mandatit tim do të bëhet qytet i cili bashkon njerëz me rrugë moderne dhe sisteme të digjitalizuara të shërbimeve publike, transport të kombinuar urban i cili do të funksionojë dhe do të jetë më i sigurt”,- deklaroi kandidati për Qytetin e Shkupit nga LSDM, Petre Shilegov.
Kreu i LDSM-së, duke i ftuar banorët e Shkupit për ta mbështetur kandidatin e tyre, premtoi se nuk do të ikë nga premtimet. Ai tha se qeveria që drejton ai ka ndërmend ta ndihmojë pushtetin lokal.
“Do të investojmë në të gjitha komunat në mënyrë që të kemi zhvillim të barabartë në çdo cep të vendit”,- u tha Zaevi qytetarëve të tubuar.
“Nga ju qytetarët kërkojmë mbështetje si koalicion i përbashkët i të majtëve, të djathtëve, të qendrës, liberalë, të gjelbrit, pra nga të gjithë që të ndërtojmë komuna të lira dhe të zhvilluara ku njerëzit do të jetojnë dhe do të punojnë me cilësi njëri krah tjetrit, në komuna të cilat do të punojnë për qytetarët dhe do t’i bashkojnë ata. Duam që nëpërmjet decentralizimit efikas që t’i aftësojmë të gjitha komunat dhe të ju japim të gjitha veglat që të munden të punojnë në interes të qytetarëve”,- u shpreh kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Zaevi premtoi se qeveria do t’i ndihmojë kryetarët edhe këshillat komunal për të lëshuar më shumë para për qytetarët në mënyrë që të ofrojnë kushte më të mira për shëndetësi dhe arsim cilësor në fshatrat dhe qytetet e tyre.
“Se si do të shpenzohen paratë do të vendosni ju në bashkëpunim me pushtetin vendor. Të gjitha komunat patjetër të jenë transparente dhe në shërbim për të gjithë qytetarët”,- tha Zaevi. (Naim Ramadani, TVM2)
