Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, Partia ASh prezantoi vizionin për Shkupin dhe Çairin
09.10.2017 16:34
Aleanca për Shqiptarët mbrëmë mbajti tubimin e radhës në Shkup. Lideri i kësaj partie, Ziadin Sela...

Aleanca për Shqiptarët mbrëmë mbajti tubimin e radhës në Shkup. Lideri i kësaj partie, Ziadin Sela, ftoi sërish BDI-në të tërheq kandidaturën e Merkos për Strugën e të mos i bëjnë konkurrencë duke rrezikuar votën shqiptare.
“Erdhe sonte në Strugë dhe paske thënë që do mejdan në Strugë. Nuk mund të matesh në mejdan në Strugë me mua, Ali. Atje mejdanin dhe luftën ua ke shpallur shqiptarëve, ashtu siç u ke shpallë mejdan dhe luftë shqiptarëve edhe në Shkup. Prandaj shqiptarët të bashkuar nga Likova, Shkupi, Tetova, nga Gostivari, Struga e Kërçova, jepjani përgjigjen ju Ali Ahmetit, sepse ai po i ik përgjigjes së vërtetë”,- deklaroi kryetari i Partisë Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela.
“Më 15 tetor, duke u bërë bashkë edhe ju aleatë me Aleancën për Shqiptarët, jepni Aleancës për Shqiptarët sa më tepër komuna, sepse ne pas zgjedhjeve lokale paralajmërojmë lidhjen e komunave shqiptare këtu në Maqedoni”,- theksoi më pas Sela.
Kandidati për kryetar të Shkupit dhe Çairit nga Aleanca për Shqiptarët, kërkuan që më 15 tetor shqiptarët të mos votojnë për kundërkandidatët e tjerë të partive shqiptare dhe maqedonase, por të mbështesin kandidatët për kryetarë dhe këshilltarë të ASh-së.
“Ju do të thoni më 15 tetor se kemi njeriun tonë, kemi kandidatin tonë dhe më 15 tetor votat janë tek Aleanca e jo tek partitë në pushtet. Ju lus për angazhim maksimal për qytetin e Shkupit, faktorizimi i votës shqiptare në Shkup dhe mobilizimi jonë për Aleancën për Shqiptarët do të na bëjë faqebardhë një herë e përgjithmonë” ,- deklaroi kandidati për kryetar të qytetit të Shkupit nga partia ASh, Naim Bajrami.
“Të bashkuar dhe të mobilizuar do tua japim shkelmin e fundit asaj pjese të mbetur nga ajo keqqeverisje gati 11 vite VMRO-BDI. Mesazhin e parë dhe sulmin e parë e dha me qëndrimin e tij stoik kryetari ynë, Ziadin Sela, ndërsa pjesën tjetër që i ka mbetur gjallë BDI-së, do t’ia japim shkelmin e fundit më 15 tetor”,- u shpreh kandidati për kryetar në Komunën e Çairit nga Partia ASh, Faruk Avdiu.
Sela, ndërkohë, deklaroi se shumë shpejt Partia Aleanca për Shqiptarët do të bëhet subjekti i parë politik brenda kampusit politik shqiptar dhe subjekti politik i cili nuk din të bëjë kompromis kur bëhet fjalë për shqiptarët dhe çështjet shqiptare.
Nga Aleanca thanë se 15 tetori do të jetë dita kur shqiptarët do t’i dënojnë ata që me vite nuk kanë arritur t’i realizojnë të drejtat që u takojnë shqiptarëve. Ai paralajmëroi edhe formimin e bashkësisë së komunave shqiptare.
SANIJE DURAKU
