Zgjedhjet 2017, BESA promovon vizionin për Zhelinën

09.10.2017 17:49

Lëvizja BESA promovoi kandidatin për kryetar të Komunës së Zhelinës....

Lëvizja BESA promovoi kandidatin për kryetar të Komunës së Zhelinës, kandidatët për këshilltarë në këtë komunë dhe projektet që pritet t’i realizojnë nëse marrin besimin e qytetarëve më 15 tetor.

Nga BESA premtuan se do të bëjnë gjithçka që të ndalojnë emigrimin e të rinjve nëpër botë, madje u zotuan se do t’i kthejnë edhe ata që kanë ikur nga vendi, duke u siguruar kushte më të mira për jetë dhe vende pune për të gjithë. 

“Të gjithë bijtë dhe bijat tona, të cilët, këta pushtetarët e dështuar, të paaftë dhe të korruptuar, i detyruan që t’ia mësyjnë rrugëve të kurbetit. E kemi thënë që në zgjedhjet e 11 dhjetorit në zgjedhjet parlamentare, misioni ynë është që të ndalet ky eksoluesi i rinisë shqiptare. Ne këtë e treguam me shembuj konkretë, se ne atë që e thamë që në fazën e dytë kur i kthyem disa nga kurbeti, do t’i kthejmë të gjithë të investojnë dhe kontribuojnë në vendin e tyre”,- deklaroi kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.

Kandidati për kryetar në Komunën e Zhelinës nga radhët e kësaj partie, Blerim Sejdiu, promovoi projektet kryesore, ku njëri ndër ta ishte edhe bulevardi kryesor i fshatit Kolinë, i cili është premtuar se do të ndërtohet, por nuk është bërë deri tani, tha ai. Ai premtoi se Zhelina do të jetë një qendër urbane, ku do të ndërtohen qendra multufunksionale të sportit me kënde për fëmijë në të gjitha fshatrat e kësaj komune, pastrimi dhe rregullimi i shtratit të lumit Vardar, çerdhe për fëmijët etj.

“Do të flas për ditët e mira që janë duke ardhur, do të flas për jetën e mirë që po na pret. Ne jetojmë midis dy qendrave më të bukura dhe më të urbanizuara, jemi në mes Shkupit dhe Tetovës, jetojmë një kilometër larg zonës ekonomike dhe jemi pa punë. Jetojmë në një vend ku historikisht në Zhelinë kalon lumi Vardar dhe askush se ka promovuar deri më sot, jemi në një vend ku malin Sharr e kemi përpara, lumenj dhe liqenin e Matkës pas nesh dhe ne jemi të izoluar, por kjo epokë morri fund”,- tha kandidati për kryetar në Komunën e Zhelinës – BESA, Blerim Sejdiu.

Sejdiu gjithashtu tha se, partia në pushtet ka mbetur në të njëjtin vend për 15 vite, duke premtuar çdo herë se do ta rregullojë çështjen e ujit të pijshëm dhe asnjëherë nuk e zgjidhi këtë problem. Bartësi i listës për këshilltarë tha se do të përkushtohet maksimalisht për të mirën e këtij populli.

“Ne do jemi krenarë dhe do të mburremi me punën tonë kur të angazhohemi për një arsim cilësor, kur ne nuk do t’i kemi shefat e shtabeve drejtorë shkolle... Ne do të angazhohemi për një shëndetësi të mirë, për një furgon ambulante i cili do të jetë 24 orë në shërbim të qytetarëve, do të krenohemi se kemi sukses kur do të bëjmë për sport dhe kulturë”,- u shpreh bartësi i listës për këshilltarë në Komunën e Zhelinës nga BESA, Liridon Useini.

“Do vazhdojmë me sukseset tona duke bërë decentralizimin dhe hapjen e vendeve të reja të punës, do angazhohemi në zhvillimin e turizmit në komunën e Zhelinës që ky vendi me plot bukuri natyrore të njihet në të gjithë Maqedoninë”,- tha Liridon Useini, bartës i listës për këshilltarë.

Nga Lëvizja BESA kërkuan besimin e banorëve të kësaj ane, që të mund t’i realizojnë të gjitha projekte e premtuara. (Farije Dauti-Bakiju, TVM2)