Afera “Telekom”, mungon gjykatësi, anulohet gjykimi
Në Gjykatën Themelore Shkupi 2 është anuluar gjykimi rreth padisë për shpifje....

Në Gjykatën Themelore Shkupi 2 është anuluar gjykimi rreth padisë për shpifje dhe ofendim të kryetarit të BDI-së, Ali Ahmetit, dhe Musa Xhaferit, kundër Sllobodan Bogoevskit për dëshmitë e tij para Gjykatës së Qarkut në Nju Jork për rastin “Magyar Telekom”.
Seanca u anulua pasi mungoi gjykatësi. As paditësit, Ahmeti dhe Xhaferi, nuk u paraqitën në gjykatë. Mbrojtja nuk e komenton mungesën e gjykatësit si të qëllimshme, edhe pse pohon se pesha e këtij gjykimi është më shumë politike.
“Është fakt që kjo lëndë përkrah peshës juridike, ka edhe peshë të caktuar politike që mund të shfaqet në karrierat politike të paditësve. Por, nuk dua të mendoj atë se gjykatësi këtë e bën me qëllim. Arsyet se pse mungon gjykatësi nuk na i treguan, nuk dua t’i komentoj, sepse megjithatë kjo lëndë nuk është vetëm padi kundër Sllobodan Bogoevskit, por mund të ketë edhe implikime të mëtutjeshme në ndonjë procedurë tjetër penale”,- deklaroi avokati mbrojtës, Valentin Zafirov.
Sllobodan Bogoevski para gjykatës në Nju Jork akuzoi zyrtarët e lartë të BDI-së dhe ish-kryeministrin Buçkovski se nga drejtorët e atëhershëm të “Magyar Telekom” kanë marrë ryshfet prej 7.5 milionë euro që të sigurojnë se në tregun e Maqedonisë nuk do të futet operator tjetër telefonik. Për këtë, Ahmeti dhe Xhaferi kërkojnë dëmshpërblim prej 3 milion dhe 2.5 milionë denarësh. (Florije Beluli-Kamberi, TVM2)
