Zgjedhjet lokale 2017, PDSh prezantoi vizionin për Çairin dhe Shkupin

10.10.2017 12:57

Partia Demokratike Shqiptare vazhdoi fushatën parazgjedhore në Çair...

Kreu i kësaj partie, Menduh Thaçi, tha se të gjitha koalicionimet me partitë maqedonase që po bëjnë partitë e tjera, shqiptarëve mund t’iu sjellin vetëm përplasje etnike… Sipas tij, partitë që konkurruan PDSh-në në zgjedhjet e kaluara u bënë pjesë e pushtetit me dy tre karrige. 
 
“Njëra parti maqedonase për Shkup eksponon një emër shqiptari për zëvendëskryetar, që është metodologjia e vjetër e shkeljes të së drejtës legjitime të shqiptarëve, ndërsa partia tjetër bën koalicion të hapur që të ndikojnë në zgjedhjen e udhëheqësve të vërtetë të pushtetit lokal të shqiptarëve”,- tha Thaçi. 
 
“Këta që janë në pushtet, qofshin të ri apo të vjetër, disa kanë 15 vite në pushtet qendror, disa 15 vite në pushtet lokal, disa gjashtë shtatë-vite pushtet lokal, është e rrejshme, mashtrim që as nuk ua di si i kanë emrat, por dalin para jush dhe premtojnë se si kanë mundur për 15 vite të ndryshojnë as emrin e një rruge që simbolizon Jugosllavinë sllavizmin dhe maqedonizmin”,- deklaroi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
 
“PDSh është opozita e vërtetë shqiptare”,- tha kandidati për kryetar në Qytetin e Shkupit, Bekim Fazliu, dhe kandidati për kryetar në Komunën e Çairit, Idriz Orana.
 
“Mesazhi është se ju mund të bëni për maqedonasit, e kam fjalën koalicione me krimin dhe korrupsionin, ju mund të bëni edhe koalicione të fshehta me partitë e tjera, por një gjë ta dini, se me shqiptarët nuk mund të bëni dot koalicione. Përfaqësuese e vërtetë e shqiptarëve është PDSh-ja, përfaqësues të vërtetë të interesave të shqiptarëve jemi ne, zëri i PDSh-së”,-tha kandidati për kryetar në Qytetin e Shkupit – PDSh, Bekim Fazliu.
 
“Në programin tim, mes tjerash, është paraparë që rruga në Cvetan Dimov, e njohur si rruga e Jaja Pashës, prej urës së Bit Pazarit deri te udhëkryqi me rrugën Xhon Kenedi, të realizohet qarkullimi i komunikacionit nëntokësor. Ndërtimi urgjent i dy parkingjeve në Komunën e Çairit, garazhe në kate apo nëntokësore, rregullimi i kanalizimit dhe rrjetit të ujësjellësit si dhe rregullimi i infrastrukturës rrugore”,- theksoi kandidati për kryetar në Komunën e Çairit – PDSh, Idriz Orana.
 
PDSh kërkoi votën e qytetarëve të Shkupit dhe Çairit pikërisht, siç thanë, që të mbrojnë në pushtetin lokal interesat e shqiptarëve, duke potencuar edhe një herë se shqiptarët duhet të vendosin vetë për vete e jo përmes votave për të tjerët.
 
FLUTURA LATIFI