Zgjedhjet lokale 2017, LSDM prezantoi vizionin për Haraçinën dhe Gazi Babën

10.10.2017 14:15

LSDM dhe partnerët e koalicionit, mbrëmë e prezantuan programin zgjedhor....

LSDM dhe partnerët e koalicionit, mbrëmë e prezantuan programin zgjedhor para banorëve të Komunës së Haraçinës dhe Gazi Babës.

Lideri i social-demokratëve, Zoran Zaev, tha se ka përfunduar periudha e ndarjeve, tani të gjitha komunat janë të barabarta edhe para ligjit edhe para pushtetit. Sipas tij, medoemos të kemi zhvillim të barabartë në të gjitha komunat, pasi që çdo qytetar është i rëndësishëm dhe ai duhet të jetë në qendër të vëmendjes sonë.

“Maqedoninë tonë të përbashkët po e bëjmë një vend për respekt. Po e shkruajmë historinë, e ndërtojmë Maqedoninë si vend për të gjithë, sjellim jetë të njëjtë për të gjithë. Ju faleminderit që treguat se është e mundur kjo. Të vazhdojmë t’i rrumbullakojmë ndryshimet dhe të ketë jetë për të gjithë në Haraçinë dhe në Maqedoni! Ju e ngritët zërin për ujë të pastër, kanalizim, çerdhe, shkolla, se problemet e vërteta të qytetarëve janë të njëjta për të gjithë, a këto janë kushtet për jetë. Të tregojmë se jemi të gatshëm të punojmë për një të ardhme të përbashkët për fëmijët tanë”,- deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Kandidatja e LSDM-së për Komunën e Haraçinës, Milikije Halimi, tha se Haraçina është një barometër nëse Maqedonia është në rrugën e duhur.

“Haraçina është barometër më i mirë politik që tregon nëse Maqedonia është në rrugën e duhur. Pjesëmarrja e madhe në këtë tubim tregon se qytetarët e gjetën rrugën e vërtetë për një jetë më të mirë në Haraçinë. Sot patriotizëm është që të formohen vende të reja pune, të ketë të ardhura më të mëdha për familjet, të kemi ujë të pijshëm, kanalizim, shkolla, çerdhe, rrugë të asfaltuara, pra me një fjalë jetë më të mirë. Dilni dhe votoni numrin 19 për të ardhmen tuaj dhe të ardhmen e fëmijëve tuaj”,- u shpreh kandidatja për kryetare komune në Haraçinë nga LSDM, Milikije Halimi.

Kandidati për kryetar të Komunës së Gazi Babës, Borçe Georgievski, kërkoi që më 15 tetor qytetarët të mbështesin ndryshimet, pasi që ai ka zgjidhje për të gjitha problemet me të cilat ballafaqohen qytetarët. “Do ta bëjë Gazi Babën komunë me të cilën të gjithë do të krenohen”,- tha Georgievski.

“Bashkë me ju do të ndërtojmë shoqëri cilivie dhe administratë komunale, e cila do të punojë në interes të qytetarëve. Komuna do të jetë vend ku do të zgjidhim problemet e qytetarëve. Pas nesh janë 21 vite qeverisje e keqe, shumë kemi pritur, shumë shanse kemi dhënë... Sërish pa turp kërkojnë edhe 4 vite mandat, por kësaj radhe do të hapim një faqe të re. Gazi Baba do të zgjedh ardhmëri të ndritur e jo errësirë. Ardhmëri në të cilën do të ketë jetë për të gjithë”,- theksoi kandidati për kryetar të Komunës së Gazi Babës nga LSDM, Borçe Georgievski.

Kandidati për kryetar të Komunës së Gazi Babës, Borçe Georgievski, paralajmëroi ndërtimin e një shkolle, çerdheje të re, urë për këmbësorë, asfaltim të rrugëve si dhe kanalizim. (Sanije Duraku, TVM2)