Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2017, Lëvizja BESA prezantoi vizionin për Kumanovën

10.10.2017 15:40

Në tubimin e mbrëmshëm në Kumanovë, Lëvizja BESA prezantoi kandidatin e saj për kryetar komunal, Driton Sulejmanin, dhe listën e kandidatëve për këshilltarë komunal...

Duke prezantuar vizionin e tij për Kumanovën, Sulejmani tha se arsimi fillor dhe i mesëm në gjuhën shqipe në Kumanovë ndodhet në kushte të mjerueshme, prandaj premtoi angazhimin e tij për përmirësimin e tyre, e sidomos tha se nuk do të lejojë transferimin e Shkollës së Mesme “Sami Frashëri” në periferi të Kumanovës, sepse, siç u tha, shqiptarët dhe shkollat shqipe e kanë vendin në qendër të qytetit e jo në periferi.
 
Po ashtu ai premtoi edhe përmirësim të infrastrukturës në vendbanimet shqiptare, pasi, siç tha ai, ajo është lënë në mëshirë të fatit. Sulejmani premtoi edhe zgjidhje për qarkullimin rrugor në Kumanovë me ndërtimin e rrethrrotullimeve dhe zgjerimin e bulevardeve ekzistuese. Po ashtu ai premtoi edhe angazhimin për hapjen e vendeve të reja të punës, me qëllim që të ndërpritet egzodusi i rinisë shqiptare nga Kumanova. 
 
“Të gjitha shkollat fillore dhe të mesme do të kenë një pamje të re, do të kenë kushte të reja, do të kenë standard për ta ndjekur procesin edukativo-arsimor nxënësit shqiptarë, ashtu siç edhe e meritojnë. Po ashtu si pjesë e programit do të jetë edhe problemi shumëvjeçar i Shkollës së Mesme “Sami Frashëri”, maqedonasit, fatkeqësisht, me ndihmën e disa shqiptarëve po duan që shkollën e mesme ta transferojnë në periferi, por ne do t’i themi stop këtij transferimi, sepse shqiptarët e Kumanovës janë autoktonë, janë të qendrës e jo të periferisë. Shkolla “Sami Frashëri” atje ku është aktualisht dhe komplet e renovuar, aty do të jetë, me kabinete të reja mësimore, me inventar të ri shkollor, ashtu si e meritojnë nxënësit shqiptarë. Pikë e tretë e programit tonë janë projektet e infrastrukturës. Kemi paraparë t’i asfaltojmë të gjitha rrugët në vendbanimet shqiptare që janë lënë në mëshirë të fatit gjatë këtyre viteve”,- tha kandidati për kryetar të Kumanovës nga Lëvizja BESA, Driton Sulejmani.
 
Mbështetjen e kumanovarëve e kërkoi edhe bartësja e listës së kandidatëve për këshilltarë, Naile Osmani, e cila theksoi se Lëvizja BESA në këto zgjedhje garon me kuadro të rinj, por të përgatitur profesionalisht dhe me program që do të përmirësojë cilësinë e jetës së qytetarëve në lagjet shqiptare, ku, siç u tha, deri më tani nuk është investuar fare. Ajo premtoi rregullimin e ujësjellësit dhe kanalizimit në Rramanli, rregullimin e infrastrukturës në Lagjen e Trimave, në lagjen Orta Bunar, në lagjen e Dardanisë, në Çerkez, e deri në fshatin Llopat. Ajo po ashtu theksoi nevojën për rregullimin e çerdheve për fëmijë, të cilat aktualisht mungojnë. Osmani tha se në programin e Lëvizjes BESA për Kumanovën është parashikuar ndërtimi i terrenit multifunksional sportiv, si dhe ndërtimi i tre kopshteve për fëmijë dhe qendrës kulturore rinore. 
 
“Lëvizja BESA ka kuadro kualitative, ekonomistë, juristë, inxhinierë, mjekë, patriotë e veteranë të luftërave të ushtrive çlirimtare, qytetarë të ndershëm për të bërë ndryshimet, prandaj pa rezervë duhet të na besojë populli shqiptar. Projektet e Lëvizjes BESA dhe grupit të këshilltarëve komunal kanë të bëjnë drejtpërdrejtë me nevojat e qytetarët shqiptarë”,- u shpreh bartësja e listës së këshilltarëve në Kumanovë nga Lëvizja BESA, Naile Osmani.
 
Edhe bartësja e listës, Naile Osmani, edhe kandidati për kryetar të Kumanovës nga Lëvizja BESA, ftuan qytetarët shqiptarë të Kumanovës që t’u japin votat partive shqiptare. Ata kërkuan votën për Lëvizjen BESA duke premtuar ndryshime për, siç thanë, një jetë të re dhe Kumanovë të re. 
 
GYLTENE SINANI