Maqedoni

Dita Botërore e të Pastrehëve, 180 persona pa strehë mbi kokë vetëm në Shkup

10.10.2017 16:43

Në territorin e Shkupit janë 180 persona të pastrehë, ndërsa në bazë ditore shërbimet e punktit në Momin Potok i shfrytëzojnë 50 persona...

Në territorin e Shkupit janë 180 persona të pastrehë, ndërsa në bazë ditore shërbimet e punktit në Momin Potok i shfrytëzojnë 50 persona, njoftoi sekretarja e Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit, Suzana Tuneva - Konevska. Ajo këtë prononcim e bëri me rastin e Ditës Botërore të të Pastrehëve.
 
“Një institucion i tillë i nevojitet qytetit për arsye se ky grup i personave të margjinalizuar, të cilët për shkaqe të ndryshme janë të pastrehë, ndodhen në situatë të rrezikut të madh dhe të gjitha serviset sociale të cilat kjo pikë ua ofron, dedikohen për përmirësimin e jetës së tyre, sidomos kjo kategori është më e rrezikuar gjatë ditëve të ftohta të dimrit kur edhe ulen temperaturat",- deklaroi sekretarja e Kryqit të Kuq të Qytetit të Shkupit, Suzana Tuneva – Konevska.
 
Në punktin e të pastrehëve, personat që nuk kanë strehë dy herë në javë mund të bëjnë dush (të lahen), të marrin veshje, ushqim të ngrohtë, kryesisht gjella të përgatitura në kuzhinat e këtij punkti, këshilla nga mjeku, mbështetje psiko-sociale dhe juridike. Ajo po ashtu bëri të ditur se dhjetë personave u janë siguruar edhe vende pune. 
 
FARIJE DAUTI-BAKIJU