Botë
Erdogani dhe Vuçiqi, marrëveshje për thellimin e bashkëpunimit
10.10.2017 17:57
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe ai serb, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan në Beograd deklaratën e përbashkët...

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, dhe ai serb, Aleksandar Vuçiq, nënshkruan në Beograd deklaratën e përbashkët politike për themelimin e Këshillit të lartë për bashkëpunim Serbi - Turqi dhe dhjetë marrëveshje tjera për bashkëpunim tregtar dhe ekonomik ndërmjet dy shteteve. Erdogani ka thënë se ka shumë mundësi për investime në Serbi.
Ai është shprehur i pakënaqur me zhvillimin aktual të tregtisë ndërmjet dy shteteve, i cili kap vlerën prej 800 milionë dollarësh. “Shifra nuk është e mjaftueshme. Dëshirojmë ta rrisim më vonë”,- tha ai. Erdogani tha se vendi i tij për 15 vjet ka ndërtuar 19.000 kilometra rrugë dhe nga 25 aeroporte ka ngritur numrin në 50.“Dëshirojmë që të gjitha këto gjëra t’i ndajmë me Serbinë”,- tha ai.
Ndërkohë, presidenti serb, Vuçiq, ka thënë se shteti i tij ndjen se Turqinë e ka mik. “Ne jemi miq të Turqisë dhe popullit turk”,- ka thënë Vuçiqi në konferencën e përbashkët me presidentin turk. Ai ka vlerësuar se marrëdhëniet mes të dyja vendeve do të jenë edhe më të mira në të ardhmen.
Vuçiqi ka thënë se Serbia ishte një prej vendeve të para që i dolën në mbrojtje kushtetueses dhe rendit demokratik në Turqi kur u tentua që të bëhej grusht shteti. Delegacioni i Erdoganit, që përbëhet nga tetë ministra dhe 185 liderë biznesorë, diskutoi edhe për projektin e gazit natyror dhe autostradën Beograd – Sarajevë. Pjesë e agjendës së Erdoganit është edhe vizita në Sanxhak, rajon i banuar me shumicë myslimane.
GAZMEND KURTISHI
