Zgjedhjet lokale 2017, Lëvizja BESA paraqiti vizionin për Likovën

11.10.2017 12:48

Lëvizja BESA promovoi kandidatin për kryetar të Komunës së Likovës, Shaban Zendeli....

Lëvizja BESA promovoi kandidatin për kryetar të Komunës së Likovës, Shaban Zendeli, dhe listën e kandidatëve për këshilltarë. Duke i prezantuar projektet e ardhshme për Likovën, nga Lëvizja BESA thanë se do të angazhohen për ngritjen e mirëqenies dhe standardit jetësor të banorëve, për transparencë absolute me menaxhimin e parave publike të komunës dhe komunë e cila do të jetë në shërbim të banorëve.

“Me Shaban Zendelin dhe ekipin e tij do ta realizojmë për katër vite atë të cilën nuk arritën ta bëjnë për 25 vite dhe këto nuk janë vetëm fjalë, për këtë ju e dini se bashkë me Shabanin dhe të tjerët udhëtova deri në Slloveni dhe do të udhëtojmë në çdo qendër europiane dhe do të trokasin në çdo derë të miqve tanë të cilët i kemi të shumtë dhe do të kërkojmë përkrahjen e tyre që edhe Likova të jetë një vend i mirë ku mund të jetohet me dinjitet”,- deklaroi kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.

Kandidati për kryetar në Komunën e Likovës, Shaban Zendeli, u zotua se do të punojë t’ua përmirësojë jetën e banorëve të kësaj zone, duke filluar me investime në infrastrukturë, me asfaltimin e rrugëve dhe trotuareve, vendosjen e kanalizimit për ujëra të zeza, ndriçimin publik, pastrimin e të gjitha deponive të egra, pastrimin e  rrugëve, arsim më cilësor dhe kushte më të mira nëpër shkolla, si dhe do të angazhohet për t’u siguruar banorëve të kësaj zone ujë të pijshëm përmes sistemit të ujësjellësit nga penda e Likovës.

“Në mandatin tonë të ardhshëm në Komunën e Likovës do të sigurohet ujë i pijshëm nga penda e Likovës për të gjithë banorët e kësaj komune.        Ne si Lëvizje BESA do të kemi një qasje të barabartë ndaj të gjitha afaristëve, andaj do të përpiqemi që në fillim të formojmë një shërbim këshillues me ekspertë të fushave të ndryshme për t’i dhënë ndihmë dhe këshilla biznesmenëve dhe fermerëve”,- u shpreh kandidati për kryetar në Komunën e Likovës nga BESA, Shaban Zendeli.

Bartësi i listës për këshilltar në Komunën e Likovës, Selajdin Imeri, u zotua se bashkërisht do të bëjnë çmos për t’i realizuar të gjitha projektet e Lëvizjes BESA për këtë komunë. 

“Të gjithë ne që kemi dalë para jush e kemi për obligim  moral dhe kombëtar që banorëve të komunës së Likovës tua kthejmë shpresën për jetë dhe liri. Kjo do të jetë amaneti jonë që do ta bartim me plotë përgjegjësi vota juaj për Lëvizjen “Besa”do të jetë mundësia jonë që të jemi në shërbimin tuaj dhe në shërbim të të gjithë banorëve të komunës së Likovës pa marr parasysh përkatësin e tyre partiake”,- u shpreh bartësi i listës për këshilltar në Komunën e Likovës – BESA, Selajdin Imeri.

Ekipi i Lëvizjes BESA për Komunën e Likovës gjithashtu thanë se do të angazhohen për të bërë infrastrukturën e nevojshme në zonën e lirë ekonomike për të tërhequr më shumë investime dhe për të hapur vende të reja të punës, me çka do të parandalohej emigrimi i të rinjve. Ata thanë se do të punojnë për të bërë planin gjeneral urbanistik të Komunës së Likovës.

Nga Lëvizja BESA gjithashtu thanë se synimi i tyre do të jetë edhe departizimi i arsimit si dhe investimet në fushën e sportit dhe kulturës. Duke marrë parasysh pozitën e përshtatshme të Komunës së Likovës, ata thonë se do të angazhohen edhe për zhvillimin e bujqësisë dhe blegtorisë, turizmit malor si dhe për marrëdhënie më të mira tregtare me Kosovën dhe Serbinë. (Rexhep Qamili, TVM2)