Zgjedhjet lokale 2017, BDI prezantoi vizionin për Kërçovën
Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka kërkuar edhe një mandat për kryetarin aktual të Kërçovës....

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka kërkuar edhe një mandat për kryetarin aktual të Kërçovës dhe kandidatin e BDI-së edhe për katër vitet e ardhshme, Fatmir Deharin. Ahmeti u premtoi banorëve të Kërçovës mbështetje të fortë nga të gjitha institucionet qendrore dhe politike kandidaturës së Fatmir Deharit për vazhdimin e mandatit në mënyrë që ai të realizojë programin që ka parashtruar për katër vitet e ardhshme. “Fatmir Dehari nuk do të zhgënjejë votuesit në Kërçovë”,- tha Ahmeti, sepse sipas tij Dehari ka mbrapa BDI-në .
“Fatmiri, me të gjithë përgatitjen që ka në atë program dhe ato premtime do t’i bëjë realitet. Edhe një herë e konfirmoj fuqishëm përkrahjen e të gjitha institucioneve drejtuese politike, ekzekutive dhe ligjvënëse. Ka qenë një mandat i suksesshëm ky që e lamë pas, por sukseset duhet të vazhdojnë”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Atë që kemi realizuar deri më tani është argument kryesor për të kërkuar besimin e qytetarëve edhe për një mandat, tha Fatmir Dehari gjatë takimit me elektoratin.
“Sot ne po ashtu jemi në teren edhe një herë afër qytetarit për ta dëgjuar, për ta komunikuar, në vazhdimësi për ta ndërtuar këtë qytet dhe unë shpresoj në këtë që edhe dëgjuam nga kryetari, por edhe nga ajo që kemi ne deri më tani si fakt dhe argument punën tonë, realizimin e projekteve tona. Të vazhdojmë edhe më tutje atë program të cilin e kemi paraqitur më tani edhe në tri gjuhë për qytetarët e këtij vendi, ta jetësojmë në katër vitet e ardhshme dhe i bindur se siç edhe deri më tani kemi folur mbi fakte dhe argumente dhe kanë qenë punët që kanë folur dhe edhe në të ardhmen do të vazhdojmë me veprat konkrete, me punët konkrete në të gjitha fushat, ato që do të flasin për punën tonë të përbashkët”,- tha kandidati për kryetar të Kërçovës nga BDI, Fatmir Dehari.
Bartësi i listës për këshillin komunal të Kërçovës, Aqif Mehdiu, premtoi se së bashku me kreun e komunës do të realizojnë edhe më shumë. Ka filluar ndërkohë arritja e diasporës shqiptare në Kërçovë për të marrë pjesë në zgjedhjet e 15 tetorit. Janë rreth 300 mërgimtarë që po mbërrijnë nga ShBA-të dhe rreth 4 mijë të tjerë nga Europa që i janë përgjigjur ftesës së Deharit për të votuar për Uskanën.
“Vijmë për të ndihmuar dhe për t’ia dhënë votën tonë kryetarit tonë të dashur, Fatmir Deharit”,- u shpreh mërgimtari nga ShBA, Rexhep Imeri.
“Jemi të gatshëm në përgjithësi me shoqërinë tonë që të vijmë drejtpërsëdrejti për votat e Kërçovës. Kishim dëshirë të madhe që të vijmë në vendlindje, edhe një herë të tregojmë se me të vërtetë e duam vendlindjen dhe duam që shqiptarët të jenë në udhëheqjen tonë”,- theksoi mërgimtari nga ShBA, Xhemal Pinjolli.
“Për Fatmir Deharin, për Kërçovën... Vijmë për çdo ditë grupe-grupe”,- tha mërgimtari nga ShBA, Isa Imeri.
“Kemi marrë rrugën të vijmë ta mbështesim Fatmir Deharin, për Kërçovën, për Uskanën tonë”,- u shpreh mërgimtari nga ShBA, Ardian Jashari.
Shqiptarët e diasporës me prejardhje nga Kërçova paralajmërojnë se edhe gjatë ditëve në vijim, të organizuar dhe grupe-grupe, do të vijnë për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale. (Naim Ramadani, TVM2)
