NBA

Zyrtare: Dankan vazhdon dashurinë me San Antonion

24.06.2014 14:45

38-vjeçari nënshkroi një marrëveshje të re me kampionët e sapo shpallur të NBA-së nga e cila do të përfitojë 10,3 milionë dollarë..........

Tim Dankan edhe zyrtarisht do të mbetet edhe për një vit tjetër pjesë e San Antonio Spërs.

38-vjeçari nënshkroi një marrëveshje të re me kampionët e sapo shpallur të NBA-së nga e cila do të përfitojë 10,3 milionë dollarë.

Ky sezon mund të konsiderohet fantastik për shtatlartin që edhe pse është në vitet e fundit të karrierës së tij e mbylli sezonin e rregullt me një mesatare prej 16,3 pikësh dhe 9,2 kërcime për ndeshje.

San Antonio Spërs është skuadra e vetme në karrierën e Tim Dankan. 38-vjeçari amerikan ishte zgjedhja e parë e draftit nga skuadra teksane në vitin e largët 1997 dhe që prej asaj periudhe Dankan i ka qëndruar besnik “Spërsave”.

Me San Antonion veterani ka fituar 5 tituj kampion të NBA-së. Ndërkohë që Dankan ka zgjatur marrëveshjen e tij me “Spërs”, e ardhmja e Lebron Xhejms po mban në ankth Majami Hit. Mbreti Xhejms është ende i pavendosur nëse do të vijojë karrierën e tij te skuadra nga Florida apo do të transferohet në një tjetër ekip.

Klivlend Kavaliers dhe Los Anxheles Klipers janë të gatshme ta mbulojnë me ar Lebronin vetëm e vetëm që ky i fundit të transferohet te njëra prej këtyre dy skuadrave.

Megjithatë Majami nga e ashtuquajtura “Big Three” mund të humbasë jo vetëm 29-vjeçarin Xhejms por edhe dy pjesëtarët e tjerë të këtij grupi pikërisht, Duen Uejd dhe Kris Bosh pasi ashtu si Lebron Xhejms  edhe këta dy basketbollistë mund të mbeten të lirë që prej datës 1 Korrik.