Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2017, ASh prezantoi vizionin për Strugën

11.10.2017 14:25

Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, njeherit dhe kandidat për kryetar në Komunën e Strugës, Ziadin Sela, aktivitetet e tij parazgjedhore i ka vazhduar sot me takim me banorët e fshatit Veleshtë...

Sela me këtë rast para banorëve prezantoi programin e tij për mandatin e ri si dhe bashkëbisedoi me ta lidhur me sfidat me të cilat përballen, për të cilat premtoi zgjidhje në katër vitet e ardhshme. Sela tha se janë pikërisht qytetarët që i japin vullnet atij dhe partisë që drejton edhe në çastet më të vështira, janë qytetarët që e mësojnë aleancën të qëndrojë edhe në momentet kur të tjerët iknin.
 
“Sot ka një kryetar parlamenti shqiptar, sepse unë isha deputeti i 61 aty dhe unë nuk guxoja që ta zhgënjej Veleshtën. Besomëni që deri sa ne të jemi aty, do ta shihni me buxhetin e 2018, që shqiptarët do të jenë hisetarë dhe do ta shohin vetën me investime në zonat e tyre, në trojet e tyre, këtu në Veleshtë, Strugë, Dollogozhdë, Ladorishtë, Kërçovë, Likovë, Kumanovë dhe gjithandej ku jetojnë shqiptarë. Ne e dimë se e kemi këtë përkrahje, sepse ju të dashur vëllezër dini ta vlerësoni ato që kanë ndërgjegje dhe rrugë kombëtare. Ju e dini, këtu jeni dhe e keni ndjekur situatën politike që ne aty ku nuk është nevoja dhe rrezikohet një komunë që të fitohet nga shqiptarë, ne e tërheqim kandidaturën ose nuk nxjerrim fare kandidaturë, dhe e dini të dashur vëllezër dhe motra, se kush është risia e këtyre zgjedhjeve, e ajo është se ne me Listën për këshilltarë do të fitojmë edhe në Kërçovë”,- u shpreh kandidati për kryetar në komunën e Strugës nga Partia Aleanca për Shqiptarët, Ziadin Sela.
 
Në takim foli edhe Ymer Ymeri, bartësi i listës nga radhët e Aleancës për Shqiptarët për këshilltarë në Komunën e Strugës. 
 
FLORIJE BELULI-KAMBERI