Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, Thaçi: Nuk jemi pjesë e pazareve për Strugën
11.10.2017 15:47
Me moton "Vetëm drejt", PDSh mbajti mbrëmë tubim në Strugë. Lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi...

Me moton "Vetëm drejt", PDSh mbajti mbrëmë tubim në Strugë. Lideri i kësaj partie, Menduh Thaçi, duke sqaruar edhe një herë motivin e tërheqjes së kandidaturës për kryetar komune në Strugë, apeloi deri te struganët që mos të përkrahin asnjë kandidat, pasi që të gjitha pazarllëqet që bëhen për momentin do të jenë në dëm të qytetarëve. "Ne kërkojmë për listën e këshilltarëve sepse ajo nënkupton mbështetje për PDSh, por nuk prononcohemi në mbështetje të as një kandidati për kryetar komune",- tha para banorëve të Strugës lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi.
“Ne kërkojmë mbështetje për listën e këshilltarëve që në të njëjtën kohë nënkupton mbështetje për PDSh-në. Ne nuk prononcohemi në mbështetjet e asnjë kandidati tjetër. Nëse do dikush që të bëhet pjesë e mbështetjeve apo e pazareve të pastra po të pista e merr përgjegjësin e vetë personalisht dhe kam shumë dëshirë që ju që jeni këtu, që jeni militantë të Partisë Demokratike Shqiptare, t’u apeloj pa keqkuptim edhe të u urdhëroj që të rrini larg këtyre pazareve të mundshme për Strugën, se të gjitha pazaret janë të fëlliqura pavarësisht se për kë bisedohet... Nuk është kjo punë e lehtë që ka bërë PDSh-ja, ne kemi tërhequr kandidaturën vetëm që mos të bëhemi bashkëpërgjegjës me gladiatorët komik se cili i pari do të ulet në karrigen e korrupsionit, në karrigen e dallavereve, në karrigen e krimit e kështu me radhë. Prandaj edhe po them publikisht, ju që jeni PDSh, gjithkush që në emër të PDSh-së do t’u thotë një qëndrim u gënjen”,- deklaroi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Bartësi i listës së këshilltarëve, Jetmir Mazari, premtoi se nëse fiton besimin e qytetarëve do të jetë zëri i struganëve në katër vitet e ardhshme bashkë me të gjithë këshilltarët e PDSh-së në këshillin komunal.
“Programi im si PDSh në radhë të parë ka deponinë e qytetit që të zgjidhet në afat sa më të shkurtër, pastaj turizmit t’i mundësohet kushte më të mira, hapësira të lira, parkingje dhe lëvizje të lirë të qytetit. Të bëhet zgjidhja e çështjes së ujit për pije në qytet dhe në fshatrat në tërësi. Nga ky tubim ju lus që të angazhoheni sa më shumë që me datë 15 tetor të dilet sa më shume dhe të votohen lisat e këshilltarëve të PDSH-së dhe të rrethoni numrin 15”,- tha bartësi i listës së këshilltarëve në Strugë – PDSh, Jetmir Mazari.
Nga PDSh thonë se programi zgjedhor dhe politikat e tyre asnjëherë nuk janë në dëm të interesave të popullit shqiptar.
AMIR DURAKU
