Maqedoni
Çmimi shtetëror “11 tetori”, fitues Vllatko Stefanovski dhe Amet Sherif
11.10.2017 17:35
Muzikanti, Vllatko Stefanovski, dhe historiani, Amet Sherif, janë fituesit e sivjetmë të çmimit shtetëror “11 tetori”, për vepër jetësore...

Stefanovskit iu nda çmimi për vepër jetësore në fushën e kulturës dhe artit, ndërsa dr. Amet Sherifit në fushën e arsimit dhe shkencës.
Çmimet i ndau akademiku, Mitko Maxhunkov, i cili tha se ato ndahen që të përkujtojmë veprat e personave të dalluar që kanë dhënë kontributin e tyre në krijimin e veprave artistike dhe shkencore.
“E pabesueshme është se çfarë rruge kam kaluar nga bodrumet në Lagjen Taftalixhe, kur isha i ri dhe tinejxher, kur më preokuponte dhe më intrigonte muzika dhe dekada më pas me mësim në këtë sferë arrita edhe te orkestra e Londrës dhe ta marr këtë çmim. Muzika ka qenë tërë jetën opsesioni im dhe është interesante se si një hobi me të cilin si i ri kam shqetësuar fqinjët, të shndërrohet në një veprimtari jetësore dinjitoze”,- u shpreh muzikanti, Vllatko Stefanovski.
Stefanovski ka kontribuar në etablimin e muzikës pop dhe rok, përmes grupit “Leb i soll”.
Ndërsa profesor, Amet Sherif, është këshilltar në Institutin e historisë nacionale dhe ka treguar rezultate të dukshme në fushën e studimit të periudhës osmane, civilizimit dhe kulturës.
FLUTURA LATIFI
