Botë

Rajoy kërcënon Katalonjën me kufizim të autonomisë

11.10.2017 18:22

Në fjalimin e tij përpara Parlamentit spanjoll, kryeministri, Mariano Rajoy...

Në fjalimin e tij përpara Parlamentit spanjoll, kryeministri, Mariano Rajoy, pasi mblodhi fillimisht me urgjencë kabinetin qeveritar, deklaroi se përgjigjja e presidentit Puigdemont do të ishte vendimtare dhe jetike për të vendosur “ato që do të vijnë përgjatë ditëve në vijim”.
 
Fjalimi i kryeministrit shënoi herën e parë që ai ka thënë hapur se, aktivizimi i nenit 155 të Kushtetutës spanjolle, që i lejon qeverisë të marrë kontrollin mbi rajonet, do të ishte hapi i radhës nëse autoritetet katalanase nuk tërhiqen nga veprimet e tyre të paligjshme. 
 
Rajoy bëri edhe një kërkesë në kundërpërgjigje të shpalljes së një dite më parë nga Puigdemont, se ai po procedonte me deklaratën e pavarësisë, por e pezullonte atë në mënyrë që t’i jepte hapësirë disajavëshe negociatave. Edhe udhëheqësi i opozitës, socialisti Pedro Sanchez, tha se dy partitë kryesore politike në Spanjë kanë rënë dakord të rinegociojnë ligjet mbi autonominë pas lëvizjes së Katalunjës për pavarësi.
 
Ai tha se është arritur një marrëveshje me Rajoyn për të hapur bisedimet në 6 muajt e ardhshëm, për reformimin e Kushtetutës, që do të lejonte ndryshimin e mënyrës sesi Spanja qeveris 17 rajonet e saj, përfshi Katalunjën. 
 
Sanchez tha se partia e tij kërkon ndryshimin e Kushtetutës, “për të mundësuar që Katalunja të mbetet pjesë e Spanjës” dhe se Partia Socialiste mbështet thirrjet e Rajoyt për qartësim të situatës nga Puigdemont.
 
GAZMEND REXHEPI