Maqedoni
Fillimi me punë i “Jugohromit”, Zaevi: në pranverë, pas përmbushjes së kritereve
11.10.2017 18:48
Pritet që gjatë ditës së nesërme të firmoset memorandum- mirëkuptimi mes Qeverisë...

Pritet që gjatë ditës së nesërme të firmoset memorandum- mirëkuptimi mes Qeverisë, pronarëve dhe Sindikatës së punëtorëve të “Jugohromit”, që nënkupton se kombinati pritet të fillojë sërish me punë pranverën e vitit të ardhshëm.
Kreu i ekzekutivit, Zoran Zaev, thotë se dokumenti parasheh që rifillimi i fabrikës të ndodhë pas përmbushjes së kritereve ekologjike, që është kushti i OJQ-ve të cilat e ngritën zërin kundër ndotjes së Tetovës dhe rajonit.
“Atje ka shoqata civile të cilat kanë tërësisht orientim kritik ndaj çdo pushteti. Punëtorët do të donin që sot të fillojnë me punë. Me ndershmëri themi në mars, prill ose maj. Nuk mund të fillojnë me punë para vendosjes së filtrave, pasi njëra palë nuk do të jetë e kënaqur, më saktë shoqata civile ose qytetarët. Kështu që kjo është marrëveshje shumëpalëshe në favor të të gjithë palëve”,- deklaroi kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
Kryeministri Zaev deklaroi se gjithçka që po punon qeveria duhet të bëhet transparente për qytetarët e vendit.
Oxhaqet e Fabrikës së “Jugohromit” ndaluan të nxjerrin tym në nëntor të vitit të kaluar, pasi kombinati nuk i respektoi afatet për ndërtimin e sistemit për parandalimin e shpërndarjes së grimcave.
Edhe pse kryesia e fabrikës pohonte se kapaciteti në Jegunovcë nuk është shkaktari kryesor i ndotjes në Tetovë, drejtuesit megjithatë premtuan përmbushjen e kritereve ekologjike deri në fund të vitit 2017.
Tymi që dilte nga oxhaqet e kombinatit dënohej ashpër nga shoqatat ekologjike të rajonit duke e vlerësuar atë si ndotësin kryesor të ajrit në rajonin e Pollogut.
MERITA GASHI
