Botë
Thaçi kërkesë Metës: Shqipëria t’u japë shtetësi kosovarëve. Meta i kundërpërgjigjet Thaçit: pajisja me shtetësi nuk do të ishte zgjidhje
11.10.2017 19:16
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është përballur sot në Prishtinë me kërkesën e homologut të tij, Hashim Thaçi...

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, është përballur sot në Prishtinë me kërkesën e homologut të tij, Hashim Thaçi, që shteti shqiptar t’i pajisë me shtetësi qytetarët e Kosovës në mënyrë që të shmanget nga izolimi, që, siç tha Thaçi, i ka vënë Bashkimi Europian Kosovës.
“Pasi aktualisht BE i ka sjellë një rrethanë të keqe të izolimit klasik Kosovës, në veçanti lëvizjes së lirë të njerëzve, që qytetarët e Kosovës të lëvizin lirshëm ka mbetur, i kërkova presidentit Meta dhe autoriteteve tjera të Shqipërisë që në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e dy vendeve t’u jepet nënshtetësia qytetarëve të Kosovës”,- deklaroi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.
Meta tha se kjo nuk do të ishte zgjidhje dhe sugjeroi që të zgjidhet çështja e demarkacionit me Malin e Zi, edhe pse e quajti si kusht të padrejtë për liberalizimin e vizave.
“Zgjidhja nuk është të merret nënshtetësia shqiptare për të gjithë qytetarët e Kosovës, pavarësisht nga dëshira për të tejkaluar këtë problem, jo për shkak të mungesës së dëshirës nga ana ime apo institucionet e Shqipërisë, por zgjidhja është tejkalimi i këtij problemi me një dialog më aktiv me BE-në por edhe me Malin e Zi”,- tha presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta.
Të dy presidentët me këtë rast kanë nënshkruar një deklaratë të përbashkët mbi marrëdhëniet vëllazërore të partneritetit strategjikë, ku përfshihet edhe hartimi i një dokumenti strategjik për anëtarësimin e plotë të Kosovës në BE dhe NATO.
GYLTENE SINANI
