Dëmtohen 200 kontenjerë të “HK” në Karposh dhe Aerodrom
Drejtori i ndërmarrjes “Higjiena Komunale”, Rakip Doçi, e dënoi këtë rast, duke bërë të ditur se në kontuinitet përsëritet problemi me shkatërrimin e kontejnerëve..........

Brenda dy ditëve në Komunën e Karposhit dhe Aerodromit janë dëmtuar 200 kontejnerë me ngjyrë të verdhë, për selektimin e shisheve të plastikës dhe kanoçeve.
Drejtori i ndërmarrjes “Higjiena Komunale”, Rakip Doçi, e dënoi këtë rast, duke bërë të ditur se në kontuinitet përsëritet problemi me shkatërrimin e kontejnerëve.
“Sot, me keqardhje konstatojmë se vetëm pas dy ditësh që kemi vendosur në territorin e Komunës së Karposhit dhe Komunës së Aerodromit kontejnerë me ngjyrë të verdhë, për selektimin e ambalazhit të poletienit, për fat të keq mund të konstatoj se në 100 lokacione në Komunën e Karposhit dhe 100 të tilla në Komunën e Aerodromit, janë dëmtuar mekanizmat për mbylljen e këtyre kontejnerëve, të cilët funksionojnë në bazë magneti, jo vetëm që është bërë një dëm material, por për fat të keq është bërë edhe dëm i madh në procesin e selektimit të mbeturinave, sepse kjo është obligim i qytetarëve, obligim i ndërmarrjes publike”, deklaroi drejtori i “Higjienës Komunale”, Rakip Doçi.
Dëmtimi i kontejnerëve është bërë nga qytetarët, të cilët merren me grumbullimin e plastikës së poletienit, por nga “Higjiena Komunale” bëjnë thirrje që kjo dukuri negative të ndërpritet, sepse kjo vazhdimisht i shkakton dëm si kësaj ndërmarrjeje, ashtu edhe qytetit të Shkupit dhe vet buxhetit të qytetarëve. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)
