LASH: Rrezikohet mbyllja e paraleleve shqipe
Interesimi i nxënësve për tu regjistruar në shkollat e mesme profesionale dhe në zanate, është më i ulët se sa në gjimnaze............

Interesimi i nxënësve për tu regjistruar në shkollat e mesme profesionale dhe në zanate, është më i ulët se sa në gjimnaze. Gjatë ditës së djeshme dhe paraditen e sotme, në shkollën e mesme të autotrafikut “Boro Petrushevski”, janë paraqitur rreth 80 nxënës. Ndërsa vetëm deri në mesditën e djeshme në gjimnazin “Zeflush Marku” ishin paraqitur mbi 800 nxënës.
“Në shkollën tonë, dita e dytë e regjistrimit, deri tash ora 10 janë paraqitur diku 80 nxënës dje dhe sot, besoj se deri ora 15 mendoj se do të bëjmë diku 110 nxënës”, deklaroi drejtori i shkollës së mesme të autotrafikut “Boro Petrushevski”, Zeqirja Zeqiri.
Në këtë shkollë, paralele në gjuhën shqipe janë paraparë në tre drejtime me gjashtë profile mësimore.
“Këtë vit, sikurse vitin e kaluar, kemi tre drejtime me gjashtë profile, drejtimi i komunikacionit ka dy profile, teknikë për komunikacion rrugor dhe teknikë dhe teknikë logjistike dhe sigurim. Drejtimi i makinerisë po ashtu ka dy profile, autoteknikë mekatoni katërvjeçare dhe automekanikë që është trevjeçare. Dhe te drejtimi autoteknikë po ashtu ka dy drejtime, autoteknikë për karoseritë mekanike dhe autoelektriçist”, theksoi Zeqiri.
Profilet mësimore të kësaj shkolle janë promovuar në të gjitha shkollat fillore të Shkupit dhe Kumanovës, prandaj udhëheqësia e shkollës pret plotësimin e numrit të nxënësve në të gjitha profilet. Ndërsa, nxënësit që kanë aplikuar për tu regjistruar në këtë shkollë, thonë se drejtimet atraktive kanë ndikuar që të regjistrohen pikërisht në këtë shkollë.
“Drejtimi është për shpedicion, e kam shumë qejf, kam dëshirë me marr këtë drejtim. Kam dëgjuar se ka profesor të mirë, shkolla është shumë e mirë, më pëlqen shumë edhe vajzën e axhës e kam këtu, ajo shumë e ka pëlqyer”, u shpreh një nxënës.
“Kam qejf mu regjistru në shpedicion”, tha një nxënës.
“Mekatronik, kisha qejf”, potencoi një nxënës.
Për shkak të koncentrimit të një numri të madh të nxënësve shqiptarë të Shkupit për tu regjistruar në gjimnazin “Zeflush Marku”, nga Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë apelojnë që nxënësit të shfaqin interesim për tu regjistruar edhe në shkollat e mesme profesionale dhe në zanate, ku po ashtu ka drejtime mjaft atraktive dhe rrezikohet mbyllja e paraleleve për shkak të mospërmbushjes së numrit.
“Veç janë mbyll paralelet. Dy vite nuk kishte mbushje të paraleles në drejtime të gjimnazit në shkollën e mesme “8 shtatori”, kështu që sivjet nuk është në konkurs ajo paralele. Madje kemi mosmbushjen e paraleleve në shkollën “Braqa Milladinovci” në Draçevë, që është për Komunën e Studeniçanit. Nxënësit e Studeniçanit duhet të konkurrojnë në Draçevë, ka edhe gjimnaz edhe drejtime bujqësore, nuk duhet të vijnë të konkurrojnë në “Zeflush Marku””, deklaroi kryetari i LASH-it, Nuhi Dardhishta.
Për vitin shkollor 2014-2015 është shpallur konkurs për 35 mijë e 195 nxënës, 9 mijë e 600 prej të cilëve do të jenë me mësim në gjuhën shqipe, përfshirë edhe 18 shkolla të mesme të Shkupit. (Gyltene Sinani, TVM2)
