San Francisko, “zhduken” flamujt rusë nga konsullata
Rusia ka protestuar mbrëmë te Shtetet e Bashkuara për, siç pretendon Moska....

Rusia ka protestuar mbrëmë te Shtetet e Bashkuara për, siç pretendon Moska, “vjedhjen” e flamujve nga konsullata e zbrazur në San Francisko, ndërsa kjo akuzë është kundërshtuar menjëherë nga Departamenti amerikan i shtetit.
Ambasada e Rusisë në Shtetet e Bashkuara ka shkruar në rrjetin Twitter në gjuhën ruse se flamujt ishin “vjedhur” nga ndërtesa dhe ka vlerësuar se kjo ishte “ngjarja e fundit e turpshme” në serinë e ndëshkimeve reciproke diplomatike ndërmjet dy shteteve gjatë këtij viti.
“Ne kërkojmë që autoritetet amerikane t’i kthejnë simbolet tona shtetërore”, theksohet në postim.
Departamenti amerikan i shtetit i ka hedhur poshtë pohimet se flamujt janë vjedhur. “Flamujt në ish-kapacitetet konsullare ruse në San Francisko me respekt janë ulur dhe janë depozituar me kujdes brenda secilës ndërtesë”,- ka shkruar në i-mailet e Departamentit amerikan të shtetit dërguar gazetarëve.
