Zgjedhjet lokale 2017, PDSh prezantoi vizionin për komunën e Tearcës

12.10.2017 13:30

Partia Demokratike Shqiptare vazhdoi tubimin parazgjedhor në Komunën e Tearcës....

Partia Demokratike Shqiptare vazhdoi tubimin parazgjedhor në Komunën e Tearcës. Me këtë rast, kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi, tha se  PDSh ka kuadro cilësorë në Tearcë. Sipas tij, BDI ka pranuar dobësinë e vet me thirrjen  për koalicion me LSDM-në për Tetovën dhe Tearcën, duke i thirrur maqedonasit që të vendosin për komunat shqiptare.

Sipas tij, gënjeshtrat me dekada që bën BDI kanë sjellë shqiptarët në një pozitë shumë të vështirë dhe degraduese, duke i shtyrë ata që të kërkojnë shpresë jashtë vendlindjes së tyre, andaj vota për PDSh-në duhet t’i eliminojë këta manipulantë nga skena politike dhe tua kthejë shqiptarëve shpresën për një jetë më të mire dhe kjo do të arrihej me mandatimin e PDSh-së nga populli.

“Kur ne të arrijmë shumë shpejt besoj në zgjedhje të parakohshme, që populli të mandatojë PDSh-në, të negociojë për Qeveri të re, atëherë ne mund të flasim se kjo forcë e vërtetë e shqiptarëve buxhetin e shtetit për vitin e parë do ia ndajë Tearcës, jo një milion e gjysmë, por minimalisht 15 -20 milionë euro”,- deklaroi kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.

Bartësja e Listës së këshilltarëve të PDSh-së, Fatmire Isaku, dhe kandidati për kryetar të komunës së Tearcës, Ruhan Iljazi,shpalosën ofertën e PDSh-së për atë që e cilësuan zhvillim të vërtetë në këtë komunë.

“Do të hapim një çerdhe në nivel të komunës, pasi është nevojë e kohës, do të përmirësojmë kushtet në shkolla dhe infrastrukturën shkollore me pajisje elektronike për zhvillimin cilësor të nxënësve, në të gjitha fshatrat do të hapim zyrë për të ndihmuar bujqit dhe blegtorët për aplikim në IPA fondet për ngritjen e cilësisë dhe rendimenteve”,- tha kandidati për kryetar në TEARCË – PDSh, Ruhan Iljazi.

“Zhvillimi i infrastrukturës sipas standardeve bashkëkohore, fillimi dhe ndërtimi i kanalizimit në komunën e Tearcës, rritja e cilësisë së arsimit dhe projekte të tjera, andaj votoni nr. 15, Ruhan Iljazin, votoni listën e PDSh-së për këshilltar, andaj suksese, na prift e mbara vetëm drejt”,- u shpreh bartësja e listës së këshilltarëve në Tearcë – PDSh, Fatmire Isaku.

PDSh ftoi banorët e Tearcës të votojnë numrin 15 më 15 tetor, për një jetë të re në Tearcë dhe të gjitha komunat shqiptare të Maqedonisë. (Flutura Latifi, TVM2)