Zgjedhjet lokale 2017, BDI prezantoi vizionin për malësinë e Gostivarit
BDI vizitoi Malësinë e Gostivarit, ku prezantoi projektet....

BDI vizitoi Malësinë e Gostivarit, ku prezantoi projektet që do t’i realizojë në rast se do të fitojë zgjedhjet e 15 tetorit. Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, edhe njëherë përsëriti se brengos fakti që partitë shqiptare janë ndarë dhe po përçajnë votën, duke apeluar që të bëhen bashkë për të forcuar politikën e shqiptarëve të Maqedonisë.
“Nuk bëhet eksperiment me procese historike, me procese shoqëroro-politike”,- tërhoqi vërejtjen kryetari Ahmeti, duke thënë se këtë nuk e thotë për të pasuruar karrierën e tij patriotike dhe politike, pasi ajo është e pasur mjaftueshëm.
“Në politikë 16 vite i pamposhtur, jo vetëm unë, sepse trimi i mirë është me shumë shokë, dhe unë kam zgjedhur shokët për të bërë luftën politike dhe diplomatike duke fituar 16 vite me radhë!”,- tha Ahmeti. Sa i përket fushatës së deritanishme parazgjedhore dhe shpalosjes së ofertave para qytetarëve, Ahmeti u angazhua që ato të jenë reale dhe të realizueshme.
“Nuk them që janë bërë të gjitha, kemi edhe shumë punë për t’u bërë. Por, njeriu duhet të mbajë përgjegjësi dhe duhet të ketë dinjitet. Platforma e Nevzat Bejtës është e shkruar dhe ai mban përgjegjësi për këtë dokument pas katër vitesh. Përgjigjem edhe unë dhe unë qëndroi pas kësaj platforme. Unë qëndroj pas z. Bejtës, bashkë me ekzekutivin dhe bashkë me grupin parlamentar. Nuk dua asnjë të zhgënjehet ashtu sikurse nuk është zhgënjyer si deri më tani asnjë shqiptar”,- deklaroi kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Kandidati për kryetar të komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, tha se në Gostivar gjatë mandatit të kaluar janë investuar rreth 40 milion euro, me çka është ndryshuar Gostivari në të mirë. Ai tha se do të vazhdojë të punojë në Gostivar për ta bërë Gostivarin qytet modern dhe europian. Mes shumë projekteve të premtuara, Bejrta tha se do t’u japë prioritet 4 projekteve, siç janë heqja e deponisë rajonale në Gostivar, rregullimi i qendrës së qytetit, ndërtimi i urës së katërt dhe ndërrimi i gypave të ujësjellësit në të gjithë qytetin e Gostivarit. Ai në Sermnovë u zotua se puna e parë që do të bëjë menjëherë pas zgjedhjeve ka për të qenë rregullimi, zgjerimi dhe asfaltimi edhe i rrugëve që lidhin fshatrat e malësisë së kësaj zone.
“Ajo që u intereson të gjithë banorëve të Malësisë si në Malësi ashtu edhe në qytet, ta përfundojmë asfaltimin e rrugës që e kemi filluar në Turqan i madh - Sermnovë dhe atë ju garantoj se me fillimin e pranverës, Agjencia për rrugë të Maqedonisë do të vijë me gjithë pajisjet e veta dhe për një muaj rrugën do ta keni edhe të zgjeruar edhe të asfaltuar dhe garanci për këtë e kam kryetarin, Ali Ahmeti”,- u shpreh kandidati për kryetar të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta.
Duke përmendur shkollën fillore të fshatit Sërmnovë si premtim të realizuar, ai tha që nuk do të mungojnë as investimet në fusha të tjera për ta çuar përpara këtë komunë e për ta bërë model të përparimit. (Ersan Pajaziti, TVM2)
