“Jugohromi” fillon punë vitin e ardhshëm, premton vendosjen e filtrave brenda afatit

12.10.2017 16:23

Kompania “Jugohrom” do të rifillojë me punë nga fundi i majit apo fillimi i qershorit të vitit të ardhshëm....

Kompania “Jugohrom” do të rifillojë me punë nga fundi i majit apo fillimi i qershorit të vitit të ardhshëm. Deri atëherë duhet të ketë vendosur filtrat ekologjik në furrën 7 dhe 8. Kjo u bë e ditur pas nënshkrimit të memorandumit për mirëkuptim mes qeverisë dhe përfaqësuesve të kombinatit  dhe sindikatës së “Jugohromit”.

“Fabrika do të vazhdojë të punojë dhe pronarët do të investojnë në vendosjen e  filtrave. Për këtë ka edhe marrëveshje të nënshkruar. Qeveria do të kujdeset qe ne kuadër të rregullativës ligjore dhe në kuadër të kapaciteteve, sa më shpejtë që të jetë e mundur t’i servisojë të gjitha procedurat administrative ndaj pronarëve dhe kombinatit, pasi ai është një kapacitet i rëndësishëm për Maqedoninë, e veçanërisht për rajonin e Tetovës dhe Pollogut”,- deklaroi zëvendëskryeministri, Koço Angjushev.

Përfaqësuesi i “Jugohromit” premtoi se kombinati  nuk do të rifillojë me punë pa vendosjen e filtrave. Mbështetje ka edhe nga sindikata.

“Fillimisht do të rregullohen filtrat e furrave 7 dhe 8,  më pas edhe të tjerat. Lexova se disa organizata ekologjike janë të shqetësuara se “Jugohromi” do të punojë pa filtra, për çka e sulmuan edhe qeverinë. Unë publikisht premtoj se “Jugohromi” asnjë ditë nuk do të punojë pa filtra”,- tha përfaqësues i Kompanisë “Jugohromi”, Vasko Skenderovski.

“Shpresoj se do të gjendet mirëkuptim edhe te institucionet edhe te organizatat ekologjike, që edhe ata të mos dëmtohen sepse me këtë memorandum parashihet ndërtimi i filtrave ekologjik”,- theksoi përfaqësuesi i Sindikatës në “Jugohromi”, Bajram Amiti.

Vendosja e filtrave kushton 12 milion euro, që duhet të sigurohen nga kompania. Për vendosjen në funksionim të furrave 7 dhe 8 janë të nevojshme 4,5 milion euro.

“Jogohromi” ndërpreu punën më 2 nëntor të vitit të kaluar për shkak të nivelit të lartë të ndotjes së ajrit në rajonin e Pollogut. (Gyltene Sinani, TVM2)