Maqedoni
Dhuna në Kuvend, 4 vite burg për sulmuesin e Shekerinskës
12.10.2017 16:40
Gjykata Penale e shpalli fajtor dhe e dënoi me katër vite burg Pançe Angellovin, sulmuesin e Radmilla Shekerinskës në ngjarjet e 27 prillit në Kuvend...

Angellov e priti i qetë vendimin e gjykatës, por filloi të shante sapo doli nga ajo.
Dënimi 4 vjeçar u mor pasi gjykatësja e vlerëson si rrethana lehtësuese faktin se bëhet fjalë për një 60 vjeçar pa precedencë në raste të tilla e as dënime për vepra të tjera penale, duke pasur parasysh edhe se Angellov është sjellë në mënyrë korrekte dhe ka kërkuar falje.
Rrethanë rënduese në këtë rast ishte fakti se vepra penale është kryer pa arsye, deputetët janë sulmuar brenda shtëpisë ligjvënëse, ngjarja është incizuar dhe e njëjta ka shkaktuar frikë dhe pasiguri tek qytetarët.
Palët kanë afat 15 ditor të ankohen ndaj vendimit, gjithsesi, deri në hyrjen e tij në fuqi, Angellov do të jetë i lirë, por me detyrimin të paraqitet në gjykatë në periudha të caktuara.
Shekerinka në seancën paraprake për këtë lëndë deklaroi se në gjykatë duhet të jenë edhe organizatorët e kësaj ngjarje që tani po fshihen prapa kryerësve të veprës. Për këtë vepër, Kodi Penal parasheh dënim me burg prej 3 deri më 10 vite.
Gjatë dhunës së 27 prillit në Kuvend u lënduan shumë deputetë dhe gazetarë dhe u demolua edhe vetë objekti i Kuvendit.
FLORIJE BELULI-KAMBERI
