Gruevski dhe Zaev nuk arrijnë marrëveshje
Takimi mes kryeministrit, Nikolla Gruevski dhe liderit Social-demokrat, Zoran Zaev, për të tejkaluar krizën politike mes Qeverisë dhe opozitës, përfundoi pa marrëveshje, për të vazhduar edhe më tutje bisedimet........

Takimi mes kryeministrit, Nikolla Gruevski dhe liderit Social-demokrat, Zoran Zaev, për të tejkaluar krizën politike mes Qeverisë dhe opozitës, përfundoi pa marrëveshje, për të vazhduar edhe më tutje bisedimet.
I gjithë takimi mes dy liderëve ka qenë siç vlerësojnë edhe ata në frymën konstruktive, por formimi i Qeverisë teknike, një nga pikat e shtruara nga LSDM, ka qenë çështja kyçe që takimi të përfundojë pa sukses. Kryetari i LSDM-së, Zaev, thotë se pa formimin e Qeverisë teknike, irelevante janë temat tjera për debat. Por, kjo kërkesë nuk u pranua nga kryeministri Gruevski.
“Erdhëm në takim, pasi që të njëjtën e kërkoi Gruevski, nuk kishim për qëllim të bënim inat. Pa formimin e Qeverisë teknike, të gjitha temat tjera janë irelevante. Mund të vlerësoj se nuk arritëm marrëveshje, nuk do të ketë bisedime për shkak të temës Qeveri teknike. Ne, nga qëndrimet tona nuk heqim dorë. Qëndrimet tona janë kryesisht në interes të Shtetit dhe të gjitha ata qëndrime që si temë i prezantuam para opinionit dhe sot në bisedime, kanë një qëllim të caktuar, ta përmirësojnë Republikën e Maqedonisë”, deklaroi kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
“Ishim afër që të arrihet marrëveshje për formimin e grupeve të punës për disa çështje të caktuara, por nga fundi i takimit Zaev kërkoi që publikisht të pranoj kërkesën për formimin e Qeverisë teknike. Normalisht që një gjë të tillë unë nuk e pranoj, pasi që tani sa e formuam Qeverinë, e cila mirë funksionon”, theksoi kryeministri, Nikolla Gruevski.
Në këtë takim teta-tetë, Gruevski-Zaev, janë prekur 5 kërkesat e LSDM-së si kusht që deputetët e kësaj partie të kthehen në Kuvend dhe të debllokohet dialogu politik.
LSDM, kohë më parë kërkoi që të formohet Qeveri teknike, si një nga kërkesat më të rëndësishme, e cila do të organizonte regjistrimin e popullsisë, pastrimin e listës zgjedhore dhe në fund të organizonte zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. (Afrim Tanallari, TVM2)
