MAQEDONI

Memeti: Kthimi i pronës u bë në mënyrë selektive

24.06.2014 17:35

Zbatimi i Ligjit për Denacionalizim në Maqedoni, gjegjësisht procesi për kthimin e pronave të konfiskuara nga qytetarët në mënyrë të dhunshme nga sistemi i mëparshëm, ishte selektiv dhe nuk arriti qëllimin, vlerëson avokati i popullit, Ixhet Memeti...........

Zbatimi i Ligjit për Denacionalizim në Maqedoni, gjegjësisht procesi për kthimin e pronave të konfiskuara nga qytetarët në mënyrë të dhunshme nga sistemi i mëparshëm, ishte selektiv dhe nuk arriti qëllimin, vlerëson avokati i popullit, Ixhet Memeti.

Edhe pse zbatimi i këtij Ligji mori shumë kohë, deri më sot nuk janë zgjidhur të gjitha lëndët edhe pse më nuk pranohen kërkesa të qytetarëve për kthim të pronës së tyre. Më së shpeshti lëndët ngecin në labirintet e organeve administrative dhe Gjykatës Administrative, të cilët në këtë drejtim u treguan joefikase dhe nuk arritën të realizojnë të drejtën e qytetarëve. Në këto organe kemi lëndë të humbura dhe lëndë që presin me vite të tëra, thotë avokati i popullit.         

“Ajo që qytetarët e shprehin te institucioni Avokati i Popullit, është se ky proces nuk arriti t’i shërojë plagët e të kaluarës edhe pse një pjesë e qytetarëve arritën të kthejnë pronën e tyre. Pjesa e atyre që kanë perceptim se ky Ligj dhe ky proces nuk arriti t’i shërojë ato plagë, janë ata që kërkojnë ndihmë nga avokati i popullit dhe nuk arritën të kthejnë pronën e tyre dhe vlerësoj se ky proces shkoi sa për sy e faqe, se ky proces ishte shumë selektiv, se me këtë proces Shteti jo me seriozitet deshi t’ua kthejë pronën e marrë në mënyrë të dhunshme qytetarëve, por sa për ta kryer atë obligim se edhe R. e Maqedonisë miratoi Ligj për Denacionalizim dhe ky proces mori fund”, deklaroi avokati i popullit, Ixhet Memeti.

Organet, që duhej të realizonin denacionalizimin, vepronin në mënyrë selektive ndaj qytetarëve, por edhe ndaj bashkësive fetare.

“Te qytetarët u la një dyshim se organet shtetërore për kthimin e pronës veprojnë në mënyrë selektive, ndryshe vepronin me lëndët të cilat kishin të bëjnë me kthimin e pronësisë të bashkësive fetare kur bëhej fjalë për kishën ortodokse maqedonase, ndryshe vepronin kur bëhej fjalë për bashkësinë e fesë islame”, theksoi Memeti.

Viteve të fundit, te institucioni Avokati i Popullit janë dorëzuar  mbi 600 ankesa, që kanë të bëjnë me punën jocilësore të organit të administratës, gjegjësisht Ministrisë së Financave dhe 300 ankesa për ngecje në procedurat gjyqësore.

Denacionalizimi dhe zbatimi i saj ishin edhe temë diskutimi në konferencën e sotme ndërkombëtare, e cila kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave në këtë proces. (Florije Kamberi, TVM2)