Zgjedhjet lokale 2017, BESA prezantoi vizionin për Gostivarin
Lëvizja BESA promovoi kandidatin për kryetar të Komunës së Gostivarit, Asat Ademi...

Lëvizja BESA promovoi kandidatin për kryetar të Komunës së Gostivarit, Asat Ademi, dhe listën e kandidatëve për këshilltarë.
Duke prezantuar projektet e ardhshme për këtë qytet, nga BESA u zotuan se do t’i menaxhojnë komunat shqiptare sipas shembujve të vendeve europiane. Ata paralajmëruan përmirësim të standardit jetësor të banorëve dhe transparencë absolute me menaxhimin e parave publike të komunës.
“Ishim në Slloveni që të marrim përvojat se si ata kanë arritur të pastrojnë qytetin dhe shtetin e tyre në përgjithësi se si ata kanë arritur që Slloveninë ta bëjnë një vend të cilit ia kanë lakmi gjithë Europa dhe këtë përvojë përmes Asafit do ta sjellim edhe në Gostivar. Këto kandidatë të cilët janë kryetarë të ardhshëm të komunave shqiptare të Maqedonisë do të tregojnë se edhe shqiptarët e Maqedonisë dinë të kenë komuna, ofrojnë shërbime më të mira që mund të ofrojë një komunë”,- deklaroi kryetari i Lëvizjes BESA, Bilal Kasami.
Kandidati për kryetar në komunën e Gostivarit, Asat Ademi, paralajmëroi investime të shumta në infrastrukturë, pastrimin e mbeturinave, mirëmbajtjen e rrugëve, parqeve dhe gjelbërimeve publike, arsim më cilësor dhe administratë më efikase komunale, e cila do të jetë në shërbim të banorëve. Para së gjithash, Ademi tha se do të angazhohet për të përfunduar në tërësi investimet në rrjetin kanalizues dhe për të siguruar 24 orë ujë të pijshëm nëpër gjitha vendbanimet e komunës së Gostivarit.
“Do vazhdoj të jetoj në një qytet ku transportuesit e nxënësve do t’i kryejnë pagesat në formën më meritore. Fatkeqësisht Gostivari ynë zbrazet për çdo ditë, rinia po largohet. Në programin tonë kemi paraparë masa të theksuara për rininë nëpërmjet zonës së lirë industriale, që e parashohim do të krijojmë vende të reja pune, do të krijojmë më së paku 1000 vende pune, do ta depolitizojmë arsimin, do të bëjmë infrastrukturë, ndërsa planet urbanistike nuk do të sillen brenda natës”,- u shpreh kandidati për kryetar në komunën e Gostivarit, Asat Ademi.
Bartësi i listës në komunën e Gostivarit, Arafat Shabani, u premtoj banorëve se pas 15 tetorit do të jetojnë në një qytet më të mirë që do të premtojë shumë për gjeneratat e reja të kësaj zone.
“Do ta çlirojmë arsimin nëpërmjet depolitizimit të arsimit, do ta çlirojmë administratën nëpërmjet depolitizimit të punëtorëve të administratës shtetërore në të gjitha nivelet e komunës së Gostivarit, do ta çlirojmë biznesin me inicimin dhe përkrahjen e biznesit lokal me kritere meritore fer dhe në bazë të drejtësisë, do ta çlirojmë kulturën e Gostivarit nëpërmjet kultivimit të vlerave kulturore dhe në bazë të kritereve kulturologjike, e jo në bazë të hamendjes njëanshme dhe të rastësishme”,- theksoi bartësi i listës në komunën e Gostivarit, Arafat Shabani.
Ekipi i Lëvizjes BESA për këtë komunë gjithashtu premtoi se do të bëjnë gjithçka që të ndalojnë emigrimin e të rinjve nëpër botë, do të punojnë për të vënë në rend kazinotë dhe lojërat e tjera të fatit, si dhe paralajmëruan çlirimin e mediave lokale përmes nxitjes së mendimit kritik. Ata u zotuan edhe për tërheqjen e investimeve të huaja dhe për kushte të volitshme për biznes në Gostivar. (Rexhep Qamili, TVM2)
