KALAJA E SHKUPIT

Punime për ndërtimin e muzeut në Kala pa shenja fetare

24.06.2014 17:41

Objekti në Kalanë e Shkupit, i cili para 3 vitesh shkaktoi incidente dhe revolt te shqiptarët, për shkak të tentativës që të ndërtohet kishë muze, tani po punohet për tu ndërtuar vetëm si muze, që do të pasqyron periudhën e mesjetës..................

Objekti në Kalanë e Shkupit, i cili para 3 vitesh shkaktoi incidente dhe revolt  te shqiptarët, për shkak të tentativës që të ndërtohet kishë muze, tani po punohet për tu ndërtuar vetëm si muze, që do të pasqyron periudhën e  mesjetës.

TVM-2 mëson se dy javët  e fundit, në Kalanë e Shkupit është duke u punuar me intensitet të madh për përfundimin e këtij objekti.

Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Viktor Lilçiç konfirmoi se në konstruksionin e  filluar do të  vazhdohet të ndërtohet objekti, por vetëm si muze mesjetarë. Ai thotë se nuk do të ketë shenja të ndonjë kishe, apo objekti fetar.

“Ky objekt ndërtohet dhe do të jetë në funksion vetëm si muze. Kështu jemi duke e  planifikuar, që të mos ketë mosmarrëveshje si në të kaluarën. Kalaja e Shkupit është  vend arkeologjik dhe është i  të gjithë qytetarëve të Maqedonisë dhe normal se është pronësi e përbashkët e tyre. Andaj, është arritur marrëveshje që ai objekt të shërbejë si  hapësirë muzeu dhe do të shërbejë edhe për nevojat kulturore të vendit. Përmbajta e sendeve brenda muzeut, nuk do të ketë tematikë tjetër përveç periudhës së mesjetës dhe nuk do të ketë simbole apo shenja fetare”, deklaroi drejtori i Drejtorisë për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, Viktor Liçiç.

Këtë javë, te objekti në fjalë janë vendosur edhe tullat, ndërsa  në një të ardhme të afërt pritet të vendoset çatia dhe dyshemeja prej xhami.

Ndryshimi  i konceptit të këtij objekti erdhi si rezultat i marrëveshjes politike mes partnerëve të koalicionit, VMRO-së dhe BDI-së, marrëveshje në të cilën partia shqiptare kërkonte që në Kala të Shkupit të mos ndërtohen objekte fetare. (Rexhep Qamili, TVM2)