Zgjedhjet lokale 2017, PDSh prezantoi vizionin për Tetovën dhe Bogovinën
Në tubimin e mbrëmshëm në Tetovë, kreu i PDSh-së, Menduh Thaçi, ka akuzuar BDI-në....

Në tubimin e mbrëmshëm në Tetovë, kreu i PDSh-së, Menduh Thaçi, ka akuzuar BDI-në se po lejon LSDM-në të lobojë për kandidaten e saj, në këmbim të votës shqiptare për këshilltarët e partisë maqedonase në pushtet. Sipas Thaçit, kjo do të sjellë më 15 tetor që gjysma e aktivistëve të BDI-së të votojnë për kandidatin e PDSh-së. Thaçi e sulmoi edhe kandidatin e BESËS për Tetovën.
“Qëllimi i PDSh-së është t’i bind të gjithë se shqiptarët në Maqedoni janë komb dhe kanë kërkesa kolektive, pa u realizuar ato nuk do të qetësohet situata asnjëherë. Sa herë prodhojnë konkurrentë të rrejshëm, siç është konkurrenti tjetër për Tetovën dhe grupi i tij, duke marrë zeqatën dhe sadakat e myslimanëve, dhe duke i keqpërdorë ndihmat humanitare, krijojnë parti politike, për të vetmin qëllim, që për ta mbajte në pushtet BDI-në dhe Ali Ahmetin”,- u shpreh kryetari i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Kandidati për kryetar të komunës së Tetovës, Bardhyl Dauti, theksoi 15 pikat e programit të PDSh-së që në këto zgjedhje garon me numrin 15.
“Transparenca dhe llogaridhënia, përforcimi i zhvillimit lokal ekonomik, zhvillimi i qytetit me përqendrim të veçantë në bulevardet kryesore të qytetit, transporti efikas publik, zhvillimi i turizmit dhe zhvillimi rural...”,- tha kandidati për kryetar komune në Tetovës – PDSh, Bardhyl Dauti.
PDSh mbrëmë ka mbajtur tubim edhe në Bogovinë ku prezantoi kandidatin për kryetar, Elvir Hisenin, dhe listën e këshilltarëve.
Papërgjegjësia individuale e kolektive, menaxhimi joefikas me komunën, e bën komunën tonë një vend të pashpresë për të ardhmen, tha Hiseni.
“Mbeturinat urbane dhe mungesa e ujit janë pjesë e bashkëjetesës për çdo familje, duke u shndërruar në probleme kronike për qytetarët tanë. Komuna jonë ka nevojë për energji të reja në menaxhim që të rikthehet shpresa. Ju premtoj që administratat e ardhshme komunale do të jetë në shërbim të interes publik, e do të punojë në mbrojtje të këtij interesi”,- theksoi kandidati për kryetar komune në Bogovinë – PDSh, Elvir Iseni.
Kreu i PDSh-së u premtoi banorëve të Bogovinës se kryetari i ardhshëm i saj, Elvis Iseni, do të depolitizojë shkollat dhe institucionet komunale që 15 vite janë kthyer në servis të BDI-së në 15 vitet e kaluara. (Visar Sadiki, TVM2)
