Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, sonte në mesnatë përfundon fushata
13.10.2017 17:05
Sonte në mesnatë përfundon fushata për zgjedhjet lokale që do të mbahen këtë të diel...

Në ditën e fundit të fushatës, BDI ka vendosur të realizojë takime me qytetarët në më tepër komuna. Lëvizja BESA organizon tubim në Çair.
Partia Aleanca për Shqiptarët do ta përmbyll fushatën me tubimin në Strugë. PDSh e përmbyll fushatën në komunën e Likovës. Koalicioni “Jetë në Maqedoni”, i kryesuar nga LSDM, do të mbajë takime me qytetarët në Debarcë dhe Vevçan, ndërsa tubimet në Strugë dhe Ohër.
Derisa Koalicioni “Për Maqedoni më të mirë” i kryesuara nga VMRO-DPMNE do të ketë tubim përfundimtar në Shkup.
Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve i ka bërë të gjitha përgatitjet që zgjedhjet të realizohen në përputhje me Kodin Zgjedhor, përfshi edhe shpërndarjen e materialit zgjedhor nëpër KZK.
Njëherit, KShZ paralajmëroi se në ditën e zgjedhjeve do t’i mbajë tre konferenca për shtyp, në orën 11:00, në orën 14:00 dhe në orën 18:00, në të cilat do të njoftohet për rrjedhën e votimit dhe jehonën e votuesve.
Pas mbylljes së vendvotimeve në orën 19:00, KShZ në vazhdimësi do t’i publikojë rezultatet paraprake të zgjedhjeve lokale.
Zgjedhjet e gjashta lokale në Maqedoni janë caktuar më 15 tetor, ndërsa do të realizohen në 3.480 vendvotime për zgjedhjen e kryetarëve dhe këshillave komunal në 80 komuna dhe në Qytetin e Shkupit.
Raundi i dytë i zgjedhjeve është caktuar pas dy javësh, përkatësisht më 29 tetor.
HAMIDE IBRAHIMI-EMINI
