Maqedoni
Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë, në Maqedoni 2500 persona me shikim të dëmtuar
13.10.2017 17:21
Në Maqedoni numri i fëmijëve dhe të rinjve me shikim të dëmtuar, apo të verbër, zyrtarisht arrin në 2500...

Në Maqedoni numri i fëmijëve dhe të rinjve me shikim të dëmtuar, apo të verbër, zyrtarisht arrin në 2500, megjithatë ky numër është shumë më i lartë kur shtohen edhe fëmijët e të rriturit të cilët nuk ndjekin mësimin apo nuk janë të regjistruar në Shkollën Shtetërore për Fëmijët e të Rinj me Shikim të Dëmtuar “Dimitar Vllahov”.
“Të ndryshëm, të veçantë por të njëjtë, me këtë moto jo vetëm sot por gjithmonë ne do jemi këtu, jo vetëm për Jovanën, Ersanin, Marion, Filipin, por për të gjithë fëmijët me shikim të dëmtuar apo të verbër. Ne do të jemi pasqyra dhe ardhmëria e tyre”,- deklaroi kryetari i ShJQ “Bota e fëmijëve - botë e re”, Suaret Alishan.
“Në shkollën tonë nxënësit mësojnë në kushte të mira, megjithatë është më se e domosdoshme të punojmë edhe më shumë të gjithë së bashku që t’i sigurojmë kushte edhe më të mira, dhe për të cilat kanë nevojë, sidomos në fushën e rritjes së cilësisë së arsimimit dhe sigurimin e pajisjeve e ndihmesave mësimore të nevojshme për fëmijët”,- tha drejtori i Shkollës Shtetërore për Fëmijë e të Rritur me Shikim të Dëmtuar “Dimitar Vllahov”, Goran Jakimovski.
Aktiviteti kryesor me të cilin do të shënohet Dita Ndërkombëtare e Shkopit të Bardhë do të organizohet të dielën në sheshin Maqedonia, ku duke vendosur një shami në sy, pjesëmarrësit do të provojnë të ecin shkurtë dhe në këtë mënyrë do të mësojnë se si të verbrit e përjetojnë një ditë.
Po ashtu do hapet edhe një llogari donuese dhe me mjetet e grumbulluara do të sigurojnë pajisjet multisenzore të nevojshme për fëmijët me shikim të dëmtuar apo të verbër.
SEVDIJE METAJ-ZYMBERI
