BE-SHQIPËRI

BE i ndan Shqipërisë statusin e vendit kandidat

24.06.2014 17:44

Ministrat e Jashtëm të Unionit, vendosën sot që t'i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat, duke ia lënë tashmë rrugën të lirë hapjes së negociatave për anëtarësim........

Shqipëria është zyrtarisht kandidate për anëtare të Bashkimit Evropian. Ministrat e Jashtëm të Unionit, vendosën sot që t'i japin Shqipërisë statusin e vendit kandidat, duke ia lënë tashmë rrugën të lirë hapjes së negociatave për anëtarësim.

Lajmin e ka njoftuar fillimisht komisionari për Zgjerim, Stefan Fyle, i cili në shqip shkruan: “Urime për statusin e kandidatit, miratuar nga ministrat, njohje e përpjekjeve për reforma, nxitje për më shumë...”.

Ndërsa pak momente më vonë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaron se Shqipëria e meritonte, duke falënderuar edhe ish-kabinetin qeveritar Berisha për kontributin e tyre në këtë vendim.

Ndërsa statusi është komentuar edhe nga kreu i opozitës, Lulzim Basha, i cili ka deklaruar se statusi është fillimi i një rrugëtimi të ri për Shqipërinë.

Urimet për statusin nuk kanë munguar as nga ish-kryeministri, Sali Berisha, ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu dhe një sërë politikanësh të tjerë, të cilët kanë deklaruar se statusi është merituar që në kohën e qeverisjes nga Berisha, por tani është zyrtarizuar.

Konkluzionet e Bashkimit Evropian lidhen me punën e mirë të bërë në drejtim të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa lihen detyra për përmbushjen e rekomandimeve. (Luljeta Ndoka, TVM2)