Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, BDI shpalosi vizionin për Tetovën
13.10.2017 17:51
Bashkimi Demokratik për Integrim mbylli fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale me tubimin në Tetovë...

Kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti, ftoi në zgjedhje të lira, korrekte dhe demokratike si dhe për pjesëmarrje masive në ditën e votimit.
Para elektoratit në Tetovë, Ahmeti u zotua se kandidatët e BDI-së do të kenë mbështetjen e Qeverisë dhe Parlamentit për të çuar përpara projektet që, këto ditë, kandidatët e tij për kryetarë kanë prezantuar para qytetarëve.
"Unë jam këtu për të dhënë garanci të fuqishme për të riafirmuar dhe konfirmuar mbështetjen e fortë të Qeverisë, duke filluar nga zëvendëskryeministri Hazbi Lika, ministrat dhe grupi parlamentar, se do të qëndrojmë fortë pas Teuta Arifit dhe gjithë kryetarëve tanë",- theksoi Ahmeti.
Ai hodhi poshtë akuzat e oponentëve politik ndaj BDI-së, të cilët, sipas tij, garojnë pa program zgjedhor.
“Më duket se kanë hyrë në një skemë të filmave serial dhe mendojnë se me aq lehtësi drejtohet e qeveriset. Të drejtosh procese kombëtare, nuk është film serial, të drejtosh të gjitha padrejtësitë që i janë bërë shqiptarëve në shekullin e kaluar - nuk ka qenë e lehtë. Unë i kam parë oponentët që ata kërkojnë të dinë se çfarë ka bërë BDI! Por asgjë nuk thonë se ç’bëri keq BDI”, theksoi kryetar i BDI-së Ali Ahmeti.
Kryetarja aktuale e Tetovës dhe kandidate për një mandat të dytë, Teuta Arifi, tha se Tetovën e ka trashëguar në shkatërrim dhe se gjatë mandatit të kaluar ka kthyer dinjitetin e tetovarëve.
Për mandatin e dytë ajo u premtoi tetovarëve trajtimin e ujërave të zeza, përmes realizimit të projektit IPA, prej 30 milionë euro dhe gazifikimin e Komunës së Tetovës.
“Faktet tona për të cilat flasim janë si drita e diellit. Që është pak më e fortë se drita e këtyre reflektorëve këtu dhe ato janë: Tetova pa deponi, Tetova pa “Jugohrom”, Tetova me ujësjellës, Tetova me 20km rrugë dhe shteti ynë me një qeverisje të re reformatore që është po aq rezultat i politikave të mençura të BDI-së. Ne këto zgjedhje përballen dy oferta. Argumenti përball iluzionit, faktet përball shpifjes dhe se votuesi tetovar do të dijë të bëjë dallimin”- tha kandidatja kryetare në Tetovë, Teuta Arifi.
Sipas BDI-së, kriza politike në dy vitet e fundit ka lënë pasoja edhe në funksionin e pushtetit lokal dhe realizim e projekteve.
Tejkalimi i kësaj krize shihet si avantazh për komuna më të suksesshme gjatë mandatit të ri.
“Tani u krijuan rrethana që në këtë vend të veprohet mirë dhe shpresoj realizimin e të gjitha premtimeve. Qeveria reformuese vërtet ka angazhime serioze si në planin ndërkombëtar, por edhe në atë kombëtar. vendit i duhet stabilitet e paqe e qëndrueshme, drejtësi, reforma dhe, këtë, mund ta bëjnë vetëm njerëzit që kanë udhëhequr procese dhe kanë bagazh të fortë dhe të begatë. Këta janë BDI, qoftë në nivel qendror, qoftë në nivel lokal",- theksoi Ahmeti.
SHPËTIM NUREDINI
