Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2017, VMRO prezantoi vizionin për Velesin, Shkupin dhe Aerodromin
13.10.2017 19:06
VMRO ka mbajtur tubim mbrëmë në Veles. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski...

VMRO ka mbajtur tubim mbrëmë në Veles. Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, u tha anëtarëve e simpatizantëve se e ka për detyrë që bashkë me ekipin e tij të punojnë, të ofrojnë zgjidhje në vend të fjalëve boshe.
“Ne asnjëherë nuk do të dorëzohemi, sepse rruga duhet patjetër të vazhdojë, ideja patjetër duhet të jetojë. Çdo hap i hedhur lë gjurmë, deri sa të ekzistojmë do të punojmë për një të tashme dhe të ardhme më të mirë”,- tha Gruevski. Sipas tij, qeveria e VMRO-së ka punuar shumë që të fitojë subvencione për fermerët, për të rinjtë që të kenë arsim cilësor, për pensionistët që të kenë pensione më të mëdha dhe të jetojnë një pleqëri të qetë. Punuam shumë dhe me përkushtim për një shëndetësi më cilësore e më pranë qytetarit, punuam që njerëzit të kenë vende pune, çdo dite kemi luftuar për të arritur një ekonomi më të fuqishme, me standard të lartë”,- tha Gruevski.
Gjithashtu ai premtoi uljen e papunësisë për 10 për qind dhe më shumë të holla për kokë banori.
“Data 15 është fillimi i një epoke të re, fillimi i një progresi të ri. Me ardhjen e dritës së re në Maqedoni, ne ofrojmë epokën e re. Epoka e re ku nuk do të këtë rrugë të paasfaltuar dhe rrugë pa drita, epoka ku në çdo lagje do të këtë parqe, epoka kur do të hapet 150 mije vende të reja pune në vend. Falje të borxheve për familjet e rrezikuara sociale. Për çdo familje që ka të hyra më pak se paga mujore në vend, token do ta ketë falas, pra nuk do të paguajë as një euro metër katror siç ishte deri më tani edhe do të jenë tërësisht të liruar nga pagesat komunale për ndërtim. Nga nëntori, në komunat ku do ta fitojmë besimin do të bëjmë falje të borxheve për ujë dhe mbeturina që qytetarët nga familjet e rrezikuara sociale i kanë deri në 30 shtator 2017",- tha kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.
Ndërkohë, në tubimin në Aerodrom, Gruevski tha para qytetarëve se VMRO nuk kërkon fitore për veten e saj, por që të sigurojë prosperitet për gjeneratat e tashme dhe të ardhshme.
Sipas tij, oponentët politik, të cilët janë të paaftë dhe nuk kuptojnë asgjë nga ekonomia, as nga investimet, janë të frikësuar dhe të shqetësuar, dhe për këtë qëllimi i vetëm i tyre është ta shkatërrojnë VMRO-DPMNE-në dhe koalicionin.
Kandidati i VMRO-së për komunën e Aerodromit, Ivica Konevski, prezantoi 5 projektet e reja që përfshijnë çerdhe, shkolla, parqe të reja, fusha tenisi dhe bazën të mbyllur me përmasa olimpike.
“Do të ndërtojmë një shkollë të mesme, do të vazhdojmë edhe traditën për uniforma pa pagesë për të gjithë nxënësit e komunës sonë. Nuk harrojmë fëmijët me pengesa në zhvillim, do të ndërtojmë një qendër për fëmijët me nevoja të posaçme, ku do të marrin ndihmën e nevojshme profesionale”,- u shpreh kandidati për kryetar komune në Aerodrom nga VMRO-DPMNE, Ivica Konevski.
Kandidati i VMRO-së për kryetar në Qytetin e Shkupit, Koce Trajanovski, tha se projektet e realizuara flasin më shumë se çdo premtim.
“Pas jush kam lënë projekte të cilat flasin më shumë se gjithçka, për ndriçimin e qytetit, për rrugët të cilat i kam asfaltuar, për të pastrehët të cilët i kam mbështetur nëpër punktet e të pastrehëve... Ju e shihni qartë lagjen e Aerodromit dhe Qytetin e Shkupit, aty janë gjurmët e punës time. Ne realizuam projekte të cilat ia kanë ndryshuan tërësisht pamjen qytetit të Shkupit”,- theksoi kandidati për kryetar në Qytetin e Shkupit nga VMRO-DPMNE, Koce Trajanovski.
Trajanovski kërkoi mbështetjen e qytetarëve duke përmendur se tetë viteve të fundit është bërë shumë për lagjen Aerodrom, ndërsa për programin e ri tha se ka shumë projekte të cilat do ta vazhdojnë punën që VMRO ka nisur me rrugëtimin e saj para 8 viteve.
FARIJE DAUTI-BAKIJU
