Botë

Juncker: pavarësia e Katalonjës, e papranueshme

13.10.2017 20:28

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, deklaroi hapur se nuk e dëshiron pavarësinë e Katalunjës...

Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, deklaroi hapur se nuk e dëshiron pavarësinë e Katalunjës, pasi kjo do të inkurajonte edhe rajone të tjera të bënin të njëjtën gjë, duke e komplikuar kështu qeverisjen e BE-së.
 
Në një fjalim të mbajtur në Universitetin e Luksemburgut, Juncker tha se Bashkimit Europian nuk i vjen për shtat të numërojë me dhjetëra anëtarë pas një dekade e gjysmë, për shkak të shkëputjes së territoreve nga anëtarët ekzistuese.
 
“Nëse lejojmë, edhe pse nuk na takon neve zgjidhja e kësaj çështjeje, që Katalunja të fitojë mëvetësinë, të tjerë si ajo do të hedhin të njëjtin hap, e kjo nuk na pëlqen. Nuk do të doja që pas 15 vitesh të kishim një Bashkim Europian me 90 vende anëtare”,- tha kryetar i KE-së Juncker.
 
Ai shtoi se, Komisioni nuk do t’u përgjigjet thirrjeve për ndërmjetësim, nëse këtë ia kërkon vetëm njëra palë. Ai e inkurajoi kreun e ekzekutivit spanjoll, Mariano Rajoy, ta vërë gjendjen nën kontroll.
 
BE-ja ka shprehur besimin se Rajoy do të arrijë të zgjidhë atë që blloku e sheh si çështje të brendshme të Spanjës.
 
Më 11 tetor, Madridi zyrtar i la presidentit të Katalunjës 5 ditë afat për të sqaruar saktësisht, nëse do ta shpallë apo jo pavarësinë e rajonit autonom, e në rast se ai e konfirmon një gjë të tillë, ka dhe 3 ditë të tjera në dispozicion për ta përmbysur vendimin, në të kundërtën do të suspendohej edhe autonomia e Katalonjës.