Shënohet 13 vjetori i betejës së Haraçinës
Pas homazheve në varrezat e dëshmorëve në Haraçinë, përfaqësues politik, familjarë të dëshmorëve dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së, vlerësuan se 24 qershori është dita fitimtare e UÇK-së, e cila ka bërë kthesa të mëdha për popullin shqiptar në Maqedoni…...

Në Komunën e Haraçinës u shënua sot 13 vjetori i epopesë së UÇK-së. Pas homazheve në varrezat e dëshmorëve në Haraçinë, përfaqësues politik, familjarë të dëshmorëve dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së, vlerësuan se 24 qershori është dita fitimtare e UÇK-së, e cila ka bërë kthesa të mëdha për popullin shqiptar në Maqedoni.
“E kemi nderin e madh, sot të përkujtojmë ditën më madhështore të kombit shqiptar, ditën e fitores së madhe të Ushtrive Çlirimtare Kombëtare, të tri emblemave të gjakut të derdhur për liri, që është bazamenti më i fuqishëm i këtij shekulli, që ka mandat njëshekullor”, deklaroi kryetari i SHVL-UÇK-së, Fazli Veliu.
“Haraçinasit ishin të zgjedhur nga Zoti që të bëhen kthesa të mëdha në këtë vend, ku paraqitej fillimi i çdo gjëje. Në rast se të tjerët nuk do t’i hapnin veshët, nuk do t’i çelnin sytë, Haraçina ishte fillimi i një veprimi më të madh si seriozitet i shqiptarëve”, theksoi ish-pjesëtari i UÇK-së, Nazmi Beqiri.
“Kjo datë është e njohur jo vetëm për neve haraçinasit, por për të gjithë popullin edhe më gjerë, te faktori ndërkombëtar, se më 24 qershor u vendos fitorja e UÇK-së. Dhe kjo fitore për neve është shumë e madhe dhe ata që e kuptojnë dhe ia dinë rëndësinë, i kemi sot këtu prezent”, potencoi kryetari i Komunës së Haraçinës, Brahim Ajvazi.
Për historikun e betejës së Haraçinës foli edhe Sali Abduli, babai i dëshmorit, ndërsa në emër të ish-pjesëtarëve të UÇK-së foli Selajdin Aziri, i njohur me nofkën e luftës “Komandant Bokseri”, të cilët theksuan se më 22, 23 dhe 24 qershor, sa zgjati ofanziva ushtarake, Haraçina u mbulua nga zjarri, pluhuri dhe tymi, ku pothuajse i tërë fshati u shndërrua në gërmadha, por armiku u mashtrua keq, sepse hasi në kështjellën e fortë shqiptare. Kjo betejë vendimtare solli deri te nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, theksuan ata. (Besim Abdullai, TVM2)
