Maqedoni
MOST, vëzhgon zgjedhjet me më shumë se 2500 vëzhgues
14.10.2017 15:22
Asociacioni qytetar MOST do t’i vëzhgojë zgjedhjet lokale me më shumë se 2.500 vëzhgues...

Asociacioni qytetar MOST do t’i vëzhgojë zgjedhjet lokale me më shumë se 2.500 vëzhgues prej të cilëve 2.100 do të jenë statikë dhe do të mbulojnë rreth 50 për qind të vendvotimeve dhe gjatë tërë ditës do ta përcjellin procesin e votimit në vendvotime. Përveç kësaj MOST do të ketë edhe 120 ekipe mobile, të përbërë prej dy vëzhguesve, që do të shërbejnë për mbështetje logjistike për vëzhguesit statik dhe do t’i vëzhgojnë kohë pas kohe vendvotimet ku MOST nuk ka përcaktuar vëzhgues statik.
“Gjatë ditës, për qytetarët të cilët dëshirojnë të paraqesin parregullsi eventuale ose të japin informata lidhur me procesin zgjedhor, mund ta bëjnë këtë përmes linjës telefonike pa pagesë 080 080 080 ose përmes internet platformës interaktive neregularnosti.most.org.mk”, tha Aleksov dhe apeloi për mbajtjen e procesit korrekt, demokratik dhe të qetë zgjedhor.
Ai shtoi se bluzat e verdha me krahë të shkurtëra, të cilat në pjesën e përparme në anën e majtë kanë logon e MOST dhe është shënuar “Monitoring 2017“, autorizimet nga MOST dhe akreditimet nga KSHZ-ja, të vendosura në vend të dukshëm, do të jenë shenjë njohëse për qytetarët, të cilët si vëzhgues vendas janë pjesë e ekipit për vëzhgim të Asociacionit qytetar MOST.
Shenjat dalluese të vëzhguesve këtë vit dallojnë nga ato të viteve të kaluara. MOST thekson që vëzhgues i kësaj organizate është vetëm ai qytetar i cili mban bluzë, autorizim dhe akreditim vetëm për këto zgjedhje.
Ardita Imeri
