Vitin e ardhshëm, trena modern në Maqedoni
Qytetarët e Maqedonisë, vitin e ardhshëm do të kenë mundësi të udhëtojnë me trena të ri, të cilët do të kenë kapacitet prej 1200 udhëtarësh. Trenat e ri do të qarkullojnë në hekurudhat e vendit pas 35 vitesh…….

Qytetarët e Maqedonisë, vitin e ardhshëm do të kenë mundësi të udhëtojnë me trena të ri, të cilët do të kenë kapacitet prej 1200 udhëtarësh. Trenat e ri do të qarkullojnë në hekurudhat e vendit pas 35 vitesh.
“Qeveria planifikon investime në hekurudhat e Maqedonisë edhe atë nën ndërtimin e linjës hekurudhore në drejtim të Bullgarisë, rekonstruimin e linjës hekurudhore në Shkup, si dhe furnizimin e vagonëve. Në 4 vitet e ardhshme planifikojmë të investojmë rreth 250 milion euro në transformimin dhe riorganizimin e hekurudhave”, deklaroi ministri i Financave, Zoran Stavrevski.
Qeveria ka nënshkruar një marrëveshje me kompaninë kineze, e cila do të kryej punimet për modernizimin e linjave hekurudhore në vend.
“Deri më tani, kompania jonë ka furnizuar dhe ka servisuar rreth 80 vende në botë. Në Maqedoni kemi nënshkruar marrëveshjen e parë dhe mendojmë se është një nismë e rëndësishme për Qeverinë, që ta përmirësojë imazhin e transportit hekurudhor”, theksoi kryetari i CSR-së, Shu Congshijang.
Për furnizimin me vagonë të udhëtarëve janë paraparë 25 milion euro, ndërsa për vagonët transportues 15 milion euro dhe 10 milion euro janë ndarë për rikonstruimin e trenave aktual. (Rejhane Bushi-Metaj, TVM2)
