Maqedoni
Zgjedhjet Lokale 2017 - Ademi: Zgjedhjet lokale kaluan në atmosferë të qetë, korrekte dhe demokratike
15.10.2017 19:45
Dita e sotme e votimeve për zgjedhjet lokale, kaloi në një atmosferë mjaft të qetë, korrekte dhe demokratike...

Dita e sotme e votimeve për zgjedhjet lokale, kaloi në një atmosferë mjaft të qetë, korrekte dhe demokratike, të pranueshme për BDI-në, theksoi zëdhënësi i Shtabit Qendror Zgjedhor të Bashkimit Demokratik për Integrim, Arbër Ademi në një konferencë për shtyp në selinë e BDI-së në Tetovë.
"Qytetarët e Republikës së Maqedonisë, me këto zgjedhje, dhanë provën më të madhe se janë në vijë të përcaktimeve strategjike europerëndimore, për të krijuar komuna të forta, të qëndrueshme dhe të zhvilluara ekonomikisht", theksoi Ademi.
Ademi dërgoi falënderim deri te të gjithë pjesëmarrësit e drejtpërdrejtë të procesit zgjedhor, që sipas tij me sjelljet dhe aktivitetin e tyre konkret, mundësuan që të kemi një garë të denjë dhe zgjedhje sipas standardeve evropiane.
Respekt të veçantë sipas tij meritojnë të gjithë aktivistët tanë dhe struktura e lartë partiake, të cilët u angazhuan me sinqeritetin më të madh, për fitoren e kandidatëve të Bashkimi Demokratik për Integrim nëpër komunat ku garojmë.
"Në veçanti çmojmë angazhimin e mijëra mërgimtarëve shqiptarë, të cilët kanë ardhur në vendlindje për të mbështetur kandidatët tanë, në Kërçovë dhe vende tjera, ku vota e tyre e ka peshën e jashtëzakonshme. Në bazë të vlerësimeve tona, Bashkimi Demokratik për Integrim, është partia favorite për fitore bindëse në komunat ku edhe garojmë"!, theksoi Ademi.
Nga partia paralajmëruan se për një orë e gjysmë sërish do të mbajnë konferencë shtypi./Mia
