Botë
Statusi për Shqipërinë, gëzoi shqiptarët e Maqedonisë dhe Kosovës
24.06.2014 19:01
Vendimin e Bashkimit Evropian që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat

Vendimin e Bashkimit Evropian që Shqipërisë t’i jepet statusi i vendit kandidat, e përshëndetën edhe krerët e partive politike shqiptare në vend dhe Kosovë.
Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i ka dërguar letër urimi kryeministrit të Shqipërisë, Edi Ramës, në të cilën thuhet se kjo e arritur radhitet në sukseset e shqiptarëve të fundshekullit të kaluar dhe të këtij fillimshekulli, si luftërat çlirimtare të kombit, Marrëveshja e Ohrit, shpallja e pavarësisë së Kosovës, si dhe anëtarësimi i Shqipërisë në NATO.
“Rreshtimi i Shqipërisë në Bruksel është me rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë shqiptarët, por edhe për kombet tjera fqinje, sepse procesi integrues euroatlantik është rruga e vetme për paqe të qëndrueshme në rajon, marrëdhënie të mira ndëretnike dhe ndërfqinjësore, stabilitet dhe siguri, si dhe zhvillim ekonomik", thuhet në letrën e Ahmetit.
Ahmeti shkruan se vendimi i BE-së rikonfirmon bindjen që e ardhmja e përbashkët është në Bruksel, pranë NATO-s dhe BE-së, si dhe njëkohësisht rithekson përkushtimin e mëtejmë të Brukselit për t'i vazhduar përpjekjet intensive deri në integrimin e plotë të vendeve tona në BE.
Edhe nga Partia Demokratike Shqiptare vlerësuar se ky është lajm i gëzueshëm jo vetëm për Republikën e Shqipërisë dhe Qeverinë, por edhe për të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë e punojnë ata.
“Ky vendim vjen si rezultat i vendosmërisë, që me reforma dhe angazhimin e Qeverisë shqiptare që ju drejtoni, Republika e Shqipërisë t’i përmbushë kriteret që duhen, duke përshpejtuar në këtë mënyrë realizimin e ëndrrës së shqiptarëve që Republika e Shqipërisë të bëhet anëtare e BE-së", vlerësojnë nga PDSH-ja e Menduh Thaçit.
Edhe kryeministri në largim i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka uruar Shtetin dhe popullin e Shqipërisë, duke theksuar se Shqipëria nga sot është kandidate për anëtarësi në BE, lajmi më i mirë i mundshëm.
“Urime motra dhe vëllezër, nuk ka shqiptar në botë që sot nuk është krenar për arritjet e juaja. Me të vërtetë e ardhmja e të gjithë neve është vetëm Bashkimi Evropian! Dy citate më bien ndërmend në këtë moment: Isa Boletini jonë kur ka thënë se “Unë jam mirë kur është mirë Shqypnia” dhe Naim Frashëri kur tha se “për ne shqiptarët, dielli lind nga perëndimi”, ka theksuar kryeministri Thaçi.
SANIJE KASAMI
