Botë

Kerry takon kryetarin e rajonit kurd në Irak, Barzani

24.06.2014 19:08

Megjithëse militantët islamik vazhdojnë t’i afrohen Bagdadit, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry...

Megjithëse militantët islamik vazhdojnë t’i afrohen Bagdadit, sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, shkoi në kryeqytetin e Irakut për të premtuar përkrahjen “intensive” amerikane për luftën e Irakut kundër grupit “Shteti Islamik i Irakut dhe Levantit”, ISIL-së.
 
Të martën, Kerry u takua me kryetarin e rajonit kurd të Irakut, Masoud Barzani, me të cilin diskutuan për rolin e kurdëve, të cilën mund t’ia ofrojnë Qeverisë në adresë të sfidave politike dhe të sigurisë, me të cilat po ballafaqohet Iraku. 
 
“Vizita juaj po realizohet ne një kohë të rëndësishme dhe kjo është një mundësi për ne dhe për zhvillimet me të cilat po ballafaqohet i tërë rajoni, në veçanti Iraku”, deklaroi kryetar i Kurdistanit, Massoud Barzani.
 
Kerry, gjatë ditës së djeshme, pas takimit me kryeministrin, Nuri al-Maliki dhe zyrtarët e tjerë të lartë, e quajti ISIL-in një kërcënim ekzistencial për Irakun. Ai kritikoi kryeministrin, Nuri al-Maliki, për lënien e myslimanëve sunit dhe kurdëve jashtë procesit qeverisës, por këmbënguli se formimi i Qeverisë së re “varet nga populli i Irakut”.
 
“E ardhmja e Irakut varet nga vendimet që do të merren në ditët dhe javët e ardhshme dhe e ardhmja e Irakut varet kryesisht nga aftësia e udhëheqësve të Irakut për t’u bashkuar dhe për të mbajtur një qëndrim të përbashkët kundër ISIL-it. Fushata e terrorit e grupit ISIL, aktet e tyre groteske të dhunës dhe ideologjia e tyre shtypëse, paraqet një rrezik të madh për të ardhmen e Irakut. ISIL nuk është duke luftuar në emër të myslimanëve sunit, por për ndarjen dhe shkatërrimin e Irakut“, theksoi sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry.
 
Shumë mysliman të sektit sunit, të pakënaqur me margjinalizimin politik nga Qeveria e dominuar nga shiitët, në vitet e fundit janë bashkuar me militantët e grupit ISIL.
 
LEUNORA KALIQI