Irlanda përgatitet për “Ofelia”-n, mbyllen shkollat, frikë për përmbytje
Nga uragani është kthyer në stuhi tropikale, por “Ophelia” vazhdon...

Nga uragani është kthyer në stuhi tropikale, por “Ophelia” vazhdon të konsiderohet potencialisht e rrezikshme dhe po iu afrohet brigjeve irlandeze.
Irlanda është vënë në gjendje alarmi nga afrimi i stuhisë, e për të kufizuar sa më shumë dëmet e saj, autoritetet kanë vendosur mbylljen e shkollave në të gjithë vendin. Meteorologët druhen se “Ophelia” mund të sjellë erëra me fuqinë e uraganit 50 deri në 70 milimetra shi në perëndim të Irlandës e Skoci, dallgë të larta dhe përmbytje në zonat bregdetare.
Në zonën Fastnet Rock, në bregun jugor të Irlandës, erërat kanë mbërritur tashmë shpejtësinë 148 km në orë. Aeroportet e Dublinit dhe Shanonit i kanë ftuar pasagjerët të informohen mbi fluturimet, përpara se të vihen në lëvizje, ndërsa ai i Korkut njofton se mund të ketë edhe anulime.
Zyrtarët vendas nuk përjashtojnë mundësinë që stuhia të shkaktojë ndërprerje të energjisë elektrike, e paralajmërojnë mbi rrezikun e objekteve që ngre era e fortë në ajër, vështirësitë e transportit, apo edhe ndërprerjen e sinjaleve telefonike. “Ophelia” mund të shndërrohet në stuhinë më të fuqishme që godet Mbretërinë e Bashkuar në 30 vite, që prej asaj shkatërrimtare të vitit 1987. Deri tani, pasojat më të mëdha i ka paguar gadishulli Iberik, i përballur me erëra që mbërritën shpejtësinë 130 km në orë, shkaktare të disa zjarreve të fuqishme në rajonin spanjoll të Galicias, ku numërohen 3 të vdekur.
Mbrojtja Civile portugeze po përgatitet për më të keqen, sepse atje ishte problematike edhe situata e zjarreve për shkak të temperaturave të larta, ndërsa një pjesë e tyre mendohet të jenë pasojë e gabimeve njerëzore. Plot 6 janë viktimat e zjarreve në Portugali.
