Konservatorët i fituan zgjedhjet, Kurz pritet të jetë kryeministri i ri i Austrisë

16.10.2017 14:12

Pas më shumë se një dekade në qeveri me Social-demokratët, të djathtët duket se do të marrin në duar të ardhmen e Austrisë...

Sebastian Kurtz pritet të jetë kancelari i ri, pasi Partia Konservatore e Popullit doli fituese e zgjedhjeve të përgjithshme, duke marrë 31,5% të votave. Konservatorët pasohen nga Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë, me 26,8%, ndërsa në vendin e tretë renditen social-demokratët me 26,3%.
 
Nëse këto do të jenë rezultatet zyrtare, partia e Kurz nuk do të arrijë dot shumicën e nevojshme, por mund të kërkojë një aleancë me Partinë e Lirisë së ekstremit të djathtë, e cila bëri fushatë kundër emigracionit. Kurz ka rigjallëruar të djathtën, përfshirë edhe ekstremistët, pas shpërbërjes së koalicionit mes konservatorëve dhe socialistëve.
 
Ai krahasohet nga analistët me udhëheqësit e rinj të Francës, Emmanuel Macron dhe atë të Kanadasë, Justrin Trudo. Kurtz njihet edhe për qëndrimin e tij për Kosovën, për të cilën thotë se nuk duhet krahasuar me Katalonjën dhe se dialogu me Beogradin duhet të vazhdojë, duke i hapur rrugën integrimit europian.