Maqedoni
Parregullsitë zgjedhore, Prokuroria Publike hap 6 procedura parahetimore
16.10.2017 17:00
Prokuroritë themelore publike në Maqedoni kanë filluar procedurën parahetimore në gashtë raste për parregullsitë zgjedhore...

Prokuroritë themelore publike në Maqedoni kanë filluar procedurën parahetimore në gashtë raste për parregullsitë zgjedhore edhe atë një në Prokurorinë Themelore Publike - Manastir, dy në Prokurorinë Themelore Publike - Koçani dhe tre në Prokurorinë Themelore Publike -Shkup.
Sipas Komisionit për parregullsi zgjedhore, në të gjitha këto lëndë ka dyshime për ryshfet gjatë zgjedhjeve dhe votimeve, për keqpërdorim të së drejtës votuese dhe për mashtrime zgjedhore.
“Për të gjitha ato vepra për të cilat prokurorët themelorë, të cilët veprojnë në raste të veçanta, do të vlerësojnë se ka elemente të kryerjes së veprës penale, gjithsesi se do të veprojnë konform ligjit dhe ajo më e rëndësishme ashtu siç kemi thënë edhe me herët për të gjitha rastet do t’u jepet prioritet këtyre rasteve dhe pa shtyrje do të marrin masa nga ana e prokurorëve themelorë”,- deklaroi kryetari i Komisionit për Parregullsi Zgjedhore në PTHP, Xhelal Bajrami.
Në kuadër të prokurorive themelore publike në Republikën e Maqedonisë, po ashtu, po veprohet edhe për shtatë vepra të tjera shtesë, për të cilat ende po grumbullohen dëshmitë verbale dhe materiale për kompletimin e lëndëve.
Bajrami thotë se për rastet për të cilat prokurorët kanë vlerësuar se nuk ka elemente të kryerjes së veprave penale, por përmbajnë elementë të kundërvajtjes, komisioni do t’i paraqesë të njëjtat tek institucionet kompetente si KShZ dhe MPB.
GAZMEND KURTISHI
