MAQEDONI

Analistët të ndarë në vlerësime për pranimin e mandateve

24.06.2014 19:10

Padëgjueshmëria partiake e kandidatëve për deputet të opozitës, të cilët kanë pranuar mandatet dhe i kundërvihen strategjisë partiake...

Padëgjueshmëria partiake e kandidatëve për deputet të opozitës, të cilët kanë pranuar mandatet dhe i kundërvihen strategjisë partiake, siç është rasti me disa deputet të opozitës maqedonase dhe së fundmi edhe deputeten e RDK-së, Mirsade Emini Asani, nga analistët politik komentohet në mënyra të ndryshme.
 
Analisti, Ismet Ramadani, thotë se ata deputet që kanë pranuar mandatin, kanë shprehur një dobësi njerëzore dhe krejt kjo lidhet me interesat, të cilat janë thjesht personale.
 
“Në këtë rast, në qoftë se partia politike ka sjellë vendim për t’i kandiduar dhe me meritë të partisë ata kanë fituar mandatin e tyre dhe me pak angazhim të tyre personal, atëherë unë mendoj se duhet t’i binden vendimit partiak dhe çdo veprim tjetër len dyshime, madje dyshimet shkojnë deri aty, a mos vallë bëhet fjalë për presion nga pushteti, mos vallë bëhet fjalë për ndonjë lakmi personale dhe të gjitha këto tek e fundit edhe qofshin spekulime, e dinigrojnë personalitetin e vetë atij deputeti që në kundërshtim me vendimet partiake vazhdon punën në Parlament dhe ai deputet çfarëdo që të flet nesër në atë Parlament, fjala e tij nuk ka peshë”, deklaroi analisti politik, Ismet Ramadani.
 
Ndërsa analisti politik, Alber Hani, e sheh situatën nga një këndvështrim tjetër, duke potencuar se pranimi i mandateve nga e opozitës mund të jetë një nismë e re demokratike dhe civilizuese.
 
“Në këtë rast, do të thotë edhe një nismë e re ndaj demokratizimit ose civilizimit, e kuptoj në këtë mënyrë meqënëse thyhet për herë të parë fenomeni i besimit ndaj idhujve për lider ose ndaj partive politike, që do të thotë se në të ardhmen pritet që votuesit nesër më tepër të kenë parasysh jo për lider, por për personalitete të shquara, të respektuara dhe personalitete që kanë kopetenca dhe aftësi për të udhëhequr me partinë”, theksoi analisti politik, Albert Hani.
 
Analisti, Alber Hani, po ashtu vlerëson se në të ardhmen do të ishte tepër pozitive në qoftëse zgjedhjet parlamentare zhvillohen me lista të hapura, kur votuesit do të kenë mundësinë të votojnë drejtpërdrejtë për personin që dëshirojnë t’i përfaqësojë.
 
MEFAIL ISMAILI