Maqedoni

Zgjedhjet lokale, vazhdojnë akuzat e kalkulimet për koalicione

16.10.2017 17:18

Edhe pse pothuajse në të gjitha komunat shqiptare do të ketë raund të dytë zgjedhor, BDI shpalli vetën si parti dominuese në nivel republikan...

Nga BDI thonë se 100 mijë votat e fituara të dielën rikonfirmuan besimin e 11 radhazi të qytetarëve për ofertën më të mirë.
 
“Më lejoni që të rikonfirmoj mbi 100.000 vota të qytetarëve për BDI-në, edhe për listat e këshilltarëve të partisë sonë, edhe për kandidatët tanë për kryetarë komunash në veçanti. Kjo fitore plebshitare u takon juve dhe ne ju shprehim mirënjohje të thellë që edhe një herë, për të 11 herë radhazi, ju e dhatë besimin tuaj për Ali Ahmetin, BDI-në dhe ofertën më të mirë”,- deklaroi zëdhënësi i ShQZ-së nga BDI, Arbër Ademi.
 
Nga Lëvizja BESA, ndërkohë, thanë se këto vota janë plafoni që mund të arrijë koalicioni LSDM-BDI, e në balotazh integristët mund të mbështeten vetëm në votat e LSDM-së.
 
“Ky është plafoni i votave të koalicionit LSDM-BDI, BESA ka vota rezervë të opozitës shqiptare me të cilat shkon në balotazh, BDI mundet vetëm të mbështetet në votat e VMRO-së”,- u shpreh kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami.
 
Aleanca për Shqiptarët vlerëson se rezultati i raundit të parë vulos fitoren edhe në raundin e dytë për Strugën. Në Gostivar, Aleanca pret  përkrahje nga Lëvizja BESA dhe RDK.
“Kushdo që do të jetë kundërkandidat në raundin e dytë, ne do t’i fitojmë zgjedhjet si Aleancë për Shqiptarët. Ky është vullneti i popullit dhe atë nuk ka çfarë e ndalë”,- theksoi kryetari i Partisë Aleanca për Shqiptarët, Zijadin Sela.
 
“Ne i kemi duart e zgjidhta që të ulemi dhe të bisedojmë me BESËN, RDK-në, PDSh-në dhe me të gjitha partitë e tjera shqiptare”,- tha Arben Taravari nga Aleanca për Shqiptarët.
 
Por, kreu i RDK-së, Vesel Mehmeti, mohon se do t’i japë përkrahje Aleancës, duke e akuzuar partinë e Selës se tradhtoi koalicionin e zgjedhjeve parlamentare duke u vënë në shërbim të pushtetit të kaluar.
 
Edhe Partia Demokratike Shqiptare akuzon partitë e tjera shqiptare për koalicione me partnerët maqedonas. 
 
“Koalicioni BDI-LSDM ishte publik, transparent dhe i paralajmëruar, ndërsa koalicioni i fshehtë i BESË-s dhe Aleancës me VMRO-në në komuna të caktuara ishte përcaktuese për rezultatet e këtyre zgjedhjeve. Mjafton të shikojmë rezultatet e zgjedhjeve në Strugë, Dibër, Gostivar, Bogovinë dhe Negotinë-Vrapçisht, ku duket qartazi bashkëpunimi i ngushtë mes Aleancës dhe VMRO-së. Po ashtu nëse i shohim rezultatet në komunat Brvenicë, Tetovë, Tearcë, Saraj dhe Çair, duket qartë koalicioni BESA – VMRO”,- potencoi nënkryetari i PDSh-së, Bardhyl Dauti.
 
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale do të mbahet më 29 tetor dhe ka dy javë kohë për t’u kuptuar koalicionet e reja të partive politike.  
 
REXHEP QAMILI