Maqedoni
Maroviq në Shkup, mbështetje për procesin eurointegrues
16.10.2017 17:59
Mali i Zi do ta mbështesë fuqishëm Maqedoninë në aspiratat e saj drejt integrimit euroatlantik...

Ky vend është i gatshëm të ndajë edhe përvojat e saj të përfituara nga procesi i negociatave për anëtarësim në BE. Kështu deklaroi kryeministri malazez, Dushko Maroviq, i cili ndodhet për vizitë në Shkup. Takimet e drejtpërdrejta janë mënyra më e mirë për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, tha ai.
“Si anëtare më e re e NATO-s dhe si udhëheqëse me proceset eurointegruese, Mali i Zi do t’i mbështesë fuqishëm aspiratat e Maqedonisë dhe vendeve të tjera në rajon për anëtarësim. Kam shprehur gatishmërinë që përvojat e fituara gjatë procesit të bisedimeve me BE-në t’i ndajmë me qeverinë e Maqedonisë me qëllim të integrimit sa më të shpejtë të rajonit në BE”,- deklaroi kryeministri i Malit të Zi, Dushko Maroviq.
Dy vendet kanë marrëdhënie të shkëlqyera, ndërsa ka vullnet për ta thelluar akoma më shumë bashkëpunimin midis veti dhe sidomos në ndarjen e përvojave që lidhen me proceset eurointegruese, deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, pas takimit me Maroviq.
“Dy vendet mund të ndihmohen në rrugën euroatlantike. Këmbyem me kryeministrin Maroviq përvoja të reja se çfarë do të thotë për Malin e Zi anëtarësimi në NATO, se ajo nuk do të thotë vetëm stabilitet për vendin por edhe perspektiva ekonomike dhe ndamë mendimin se Maqedonia do të jetë anëtarja e 30 e NATO-s”,- u shpreh kryeministri i RM-së, Zoran Zaev.
Dy kryeministrat kanë biseduar për avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh edhe në fushat e arsimit, kulturës, turizmit dhe shkencës. Kryeministri malazez paralajmëroi një serë takimesh dypalëshe në nivel të lartë duke paralajmëruar vizitat e ministrit të mbrojtjes dhe atij të punëve të jashtme të Malit të Zi në Shkup.
NAIM RAMADANI
